Astronomët zbulojnë një objekt qiellor të pazakontë që dërgon sinjal çdo 44 minuta: Nuk kemi parë kurrë diçka të tillë

Astronomët kanë zbuluar një objekt qiellor mahnitës që lëshon shpërthime të fuqishme të valëve të radios dhe rrezeve X, secila prej dy minutash, duke u përsëritur çdo 44 minuta.
Zbulimi shënon një moment historik në hulumtim, pasi është rasti i parë në të cilin rrezet X janë shoqëruar me një objekt që mund t'i përkasë një klase të re trupash qiellorë.
Bëhet e ditur se astronomët zbuluan objektin e parë të tillë në vitin 2022, dhe deri më sot janë regjistruar më pak se dhjetë, shkruan CNN, përcjell Telegrafi.
"Transientët janë një klasë e re objektesh kozmike që lëshojnë shpërthime të forta radio çdo disa minuta deri në disa orë", tha Dr. Andy Wang nga Curtin Institute of Radio Astronomy.
"Ne ende nuk e dimë saktësisht se çfarë janë këto objekte ose si prodhojnë sinjale kaq të pazakonta."
Objekti, i quajtur ASKAP J1832–0911, ndodhet rreth 15,000 vite dritë nga Toka, në galaktikën tonë.
Rrezatimi me rreze X, i zbuluar duke përdorur teleskopin Chandra të NASA-s, mund të ndihmojë astronomët të kuptojnë më mirë natyrën e këtyre objekteve intriguese dhe sjelljen e tyre pulsuese.
“Rrezet X zakonisht vijnë nga rajone jashtëzakonisht të nxehta dhe energjike, që do të thotë se diçka dramatike ka ndodhur me objektin”, tha Wang, autori kryesor i studimit të botuar në revistën Nature.
“Nëse këto objekte me të vërtetë mund të lëshojnë rreze X, të cilat mbartin dukshëm më shumë energji sesa valët e radios, kjo do të thotë se ato janë më energjike sesa mendohej më parë”, shtoi Wang.
Bëhet e ditur se shkencëtarët tani po përpiqen të zbulojnë burimin e valëve të radios dhe rrezeve X të emetuara nga ASKAP J1832-0911, pasi ato nuk përshtaten me asnjë kategori të njohur trupash qiellorë.
Vëzhgimet e ardhshme mund të zbulojnë temperaturën dhe madhësinë e objektit. /Telegrafi/














































