LAJMI I FUNDIT:

Aston Martin është duke përgatitur lançimin e kabrioletit DB12 Volante

Aston Martin është duke përgatitur lançimin e kabrioletit DB12 Volante

Britanikët nga Aston Martin njoftojnë lançimin dhe prezantimin e modelit të ri më 18 gusht, dy ditë para edicionit të 72-të të rapsodisë automobilistike Pebble Beach Concours d’Elegance. Sipas thashethemeve të fundit, mund të jetë kabrioleti DB12.

Pebble Beach Concours d’Elegance është një nga eventet më të rëndësishme të vitit, ku në grumbullimin dhe konkursin e veturave historike, luksoze dhe të rralla vlerësohet dhe zgjidhet vetura më e mirë elegante.

Në këtë event njëditor marrin pjesë rreth 15 mijë dashamirës të veturave klasike dhe luksoze, kurse vitin e kaluar fitoi torpedoja e rrallë Duesenberg Model J Figoni Sports e vitit 1932, transmeton Telegrafi.


Teksa Aston Martin feston 110 vjetorin e markës, britanikët po përgatisin disa surpriza për konkursin prestigjioz të këtij viti.

Sipas informacioneve të fundit, Aston Martin synon të lançojë një model të ri më 18 gusht. Sipas thashethemeve, mund të jetë një version i kabriolet i DB12, përkatësisht DB12 Volante.

Por kjo nuk është e gjitha. Gjithashtu në Pebble Beach, britanikët do të prezantojnë Valor-in e ri, për herë të parë në territorin amerikan. Të pranishmit do të mund të admirojnë gjithashtu SUV DBX707.

Aston Martin DB12 Coupe debutoi në fund të majit, si pasardhës i modelit DB11. I përshkruar si super-tureri i parë në botë, DB12 përmban dizajn të ristilizuar të jashtëm dhe një motor 4-litërsh bi-turbo V8.

Kjo veturë zhvillon 680 kuaj fuqi, të mjaftueshëm për të përshpejtuar në 100 km/h në 3.6 sekonda.

Shpejtësia maksimale është 325 km/h. Kabriolet DB12 Volante me shumë mundësi nuk do të jetë aq i shpejtë për shkak të çatisë së diellit.