LAJMI I FUNDIT:

Asllanaj premton zhvillim më të madh ekonomik në Suharekë

Asllanaj premton zhvillim më të madh ekonomik në Suharekë

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka porositur elektoratin në Suharekë, se kjo parti duhet të marrë drejtimin e komunës, pasi ka kandidatin më të mirë dhe të aftë për të udhëhequr me mandatin e ri katërvjeçar.

Ai ka kërkuar nga qytetarët që të mbështesin kandidatin e kësaj partie për të parin e Suharekës, Sali Asllanaj, pasi që LDK-ja ka dëshmuar se di të qeverisë pa korrupsion dhe se ka kandidatët më të mirë se kundërshtarët politikë.


“Natyrisht ne si LDK, nuk konsiderojmë dhe vlerësojmë se jemi vetëm ne ata që duhet të marrim pjesë në drejtimin e  vendit edhe të Komunës. Por jemi të bindur se ne jemi ata që më së miri qëndrojmë në krye te komunës në krye të komunave në krye të qeverisjes qendrore sepse jemi treguar edhe tregojmë që dimë të qeverisim pa korrupsion. Dimë të qeverisim pa keq bërje dinë të qeverisim mirë. Dimë të ju shërbejmë juve qytetarë të nderuar. Nuk dua të ju marr shumë kohë duke i përshkuar se si janë të tjetër me cilët ne po bëjmë garë për qeverisjen lokale. Ju i njohin mirë. Janë ata që kanë keqpërdorë më së shumti edhe kur e kanë drejtuar këtë Komunë edhe kur kanë drejtuar komuna të tjera edhe kur po e drejtojnë sot vendin . Ne nuk do të ju japim shansin atyre që ata të kthehen në krye të kësaj komune dhe komunave të tjera. Nuk kanë të drejtë ata që kanë mbajt dënime ata të vijnë tani të konku rrojnë për kryetar të komunave. Nuk kanë të drejtë ata që kanë keqpërdor, ata që kanë plaçkit, atyre t’u japim të drejtë që ata  të qeverisin me komunë. Me komuna duhet të qeverisin me duar të pastra dhe ne e kemi një shembull të qeverisjes me duar të pastra”, tha Mustafa.

Kandidati për kryetar të Suharekës nga LDK-ja, Sali Asllanaj, ka premtuar zhvillim ekonomik dhe në veçanti do t’i fuqizojë zonat ekonomike në Samadragjë e Shirokë.

“Jemi komunë vërtet shembull. Më lejoni të konstatoj se kemi njerëz shembull. Unë disa i përshëndes në mënyrë të veçantë njerëz të biznesit, të cilët kanë dëshmuar se dinë të punojnë dhe dinë t’i japim një shtytje të fuqishme zhvillimit ekonomik. Kjo është pika kryesore e programit tonë. Zhvillimi ekonomik do ta ketë një qasje shumë të fuqishme, sepse pretendojmë që zemra dhe gjaku i zhvillimit ekonomik janë bizneset, të cilat sot i kemi prezent. Është krenari e jonë zona industriale në Shirokë, është krenari e jona agrozona në Samadragjë. Ato do t’i fuqizojmë edhe më shumë, do të investojmë edhe më shumë do t’i bëjmë më atraktive do t’u mundësojmë bizneseve qasje edhe më të lehtë në ato zona. Dhe krejt kjo në funksion të asaj të krijohen vende të punës për të rinjtë, të cilët janë ardhmja dhe e sotmja e Kosovës”, tha Asllani.

Ai ka premtuar se do t’i vazhdojë investimet në bujqësi, dhe se do të ketë rritje për 50 për qind të buxhetit për këtë sektor.

Lëmi tjetër ka thënë se do të jetë zhvillimi i turizmit malor, rural në pjesët e bjeshkëve të Mushtishtit. Po ashtu ka premtuar investime në infrastrukturën në drejtim të Brezovicës.

Integrimi i të rinjve do të bëhet një pjesë në institucione dhe pjesën tjetër në sektorin privat, duke iu ndihmuar  përmes fondeve dhe duke u mundësuar një praktikë me pagesë.

Po ashtu ka premtuar se do të ndërtojë në të gjitha vendbanime fusha sportive dhe se ka filluar  punimet për ndërtimin e shtëpisë së kulturës “Ukë Bytyqi”.