Aleanca për Shqiptarët, krahu i Arben Taravarit, ka reaguar lidhur me raportin e fundit të "Transparency International", sipas të cilit Maqedonia e Veriut ka rënë për 12 vende në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2024, duke u renditur në vendin e 88-të nga 180 shtete, me vetëm 40 pikë.

"Fakti që vendi humb 12 pozita me vetëm dy pikë më pak krahasuar me vitin 2023 tregon qartë se problemi nuk është statistik, por politik dhe institucional. Ky regres lidhet drejtpërdrejt me ndryshimet e kontestuara në Kodin Penal, të cilat u perceptuan gjerësisht si ndërhyrje për amnisti të fshehtë dhe mbrojtje të funksionarëve të korruptuar.


Këto veprime kanë minuar besimin e qytetarëve, kanë dëmtuar seriozisht sundimin e ligjit dhe kanë dërguar sinjal negativ te partnerët ndërkombëtarë. Lufta kundër korrupsionit nuk bëhet me deklarata, por me ligje të forta, institucione të pavarura dhe përgjegjësi reale.

Aleanca për Shqiptarët kërkon me urgjencë rishikim urgjent të ndryshimeve në Kodin Penal që dobësojnë ndjekjen e korrupsionit të nivelit të lartë, por edhe pavarësi reale të gjyqësorit dhe prokurorisë, pa ndikim politik;

Insistojmë në transparencë dhe llogaridhënie për çdo vendim që cenon interesin publik, si dhe srategji konkrete dhe të matshme për luftë efektive kundër korrupsionit", thuhet në reagimin e ASH-së./Telegrafi/