Arvizu: E shkuara, jo justifikim për dështimet

"Demokratizmi nuk është thjesht një kriter për integrimin rajonal. Është procesi që vendos kornizën që populli shqiptar të punojë bashkërisht me bashkësinë ndërkombëtare. Demokratizimi nuk është proces i lehtë, veçanërisht për një vend që ka qenë në një sistem autokratik për disa breza, sepse kërkon durim, bashkëpunim dhe gatishmëri për të vendosur të ardhmen e përbashkët të vendit përpara ambicieve personale", tha Arvizu duke shtuar se, "E shkuara mund të ndikojë në disa prej sfidave që Shqipërisë i duhet të kapërcejë për të paraqitur një kulturë më demokratike, por e shkuara nuk mund të përdoret më si një justifikim për dështimet e Shqipërisë në zbatimin e proceseve demokratike dhe në ecjen e saj përpara", nënvizoi ambasadori më tej.
Sipas ambasadorit SHBA-të vazhdojnë të nxisin Shqipërinë “për bashkëpunim dhe dialog ndërpartiak për të zbatuar reformat e nevojshme demokratike". Ai tha se, "Integrimi evropian është një përgjegjësi kolektive dhe do të jetë përfitim i përbashkët".
Arvizu theksoi se, Sllovenia dhe Kroacia janë shembuj rajonalë të vendeve që kanë ngadhënjyer sfidat për të ndërtuar një kornizë që u ka lejuar ose do t’u lejojë atyre hyrjen në Bashkimin Evropian, ndërsa shtoi se SHBA e BE vazhdojnë të mbështesin Shqipërinë që të ecë në rrugën e demokratizimit. /Bw/Telegrafi/





















































