LAJMI I FUNDIT:

Arta Kallaba dhe ëndrra e saj e realizuar!

Arta Kallaba dhe ëndrra e saj e realizuar!

Regjisorja e afirmuar nga Gjilani, ka kohë që jeton dhe vepron në Nju Jork. Duket se ajo e ka përfillur thënien, ‘ndiqe ëndrrën’, por për të dalur nga ëndrrat, duhet zgjuar. Prandaj Arta Kallaba u zgjua dhe rruga e ëndrrës e shpiu në Nju Jork, për t’u sprovuar edhe atje si regjisore. Poashtu fati e deshi që bashkë të udhëtojë me njeriun e jetës, duke sjellë në jetë edhe dy fëmijë të zemrës.

Bisedoi: Shaqir Foniqi


Arta Kallaba me sukseset dhe përvojën e saj, po dëshmon cilësi, seriozitet dhe përkushtim. Besojmë se rruga e saj do të jetë e vështirë, por karriera artistike, e artë!

Në vazhdim mund të ndiqni intervistën ekskluzive me të, në portalin tonë.

Arta, duket se një ëndërr e fjetur dhe e hedhur për të kaluar kufijtë nacional, më në fund u realizua. Ju tashmë sikur bëni një jetë të dytë përtej oqeanit, në Nju Jork. Cilat ishin peripecitë e këtij rrugëtimi maratonik?

Para se të vendoseshim për të jetuar në Nju Jork, unë kam qenë disa herë në SHBA, për ta vizituar familjen, po për të nisur jetën tonë këtu. Nuk ka qenë i lehtë vendimi të vijmë e ta lëmë vendin tonë, punën, familjarët, miqtë e çdo gjë tjetër me të cilat jemi mësuar të jetojmë. Karshi rrethanave dhe kushteve që të ofron Kosova, por edhe duke e menduar gjatë të ardhmen dhe planin që të kishim fëmijë, e bënte më të lehtë kështu vendimin.

Si u gjendet në fillim, kishit përkrahje, vështirësi, zhgënjim apo lumturim?

Çdo fillim është i vështirë, e sidomos të nisësh jetë në një metropol botëror siç është Nju Jorku. Çdo gjë ishte ndryshe seç jemi mësuar ta bëjmë jetën në Kosovë, nga dinamika e jetës e deri te stili i jetesës. Nuk mund ta përjashtoj faktin se kemi patur edhe zhgënjime sidomos në fillim, sepse nuk është gjithçka siç e reklamojnë shumica e njerëzve, jetë si në film – jo. Nuk ka qenë shumë e lehtë, por gradualisht arritëm të adaptohemi me këtë dinamikë të jetës, dhe me punë e vullnet arritëm të gjejmë një stabilitet, të cilin tani po e shijojmë.

Në ndërkohë, ju për disa vite ishit shkëputur nga skena e Kosovës në kërkim të hullive për të dëshmuar talentin tuaj si regjisore në një ambient ku konkurrenca është jashtëzakonisht e madhe. A jeni në rrugë që të përmbushni këtë mision?

Nga Kosova jam shkëputur tërësisht për momentin, dhe këtu për të nisur një jetë të re, i kam vendos vetes disa prioritete. Së pari, një bazë financiare që është e domosdoshme për jetesë, të krijoj familje dhe sigurisht se misionin tim si regjisore do ta përmbush kur të vijë momenti, sepse tani krejtësisht i jam e përkushtuar familjes.

Ju rrjedhin nga një familje artistesh. Babai juaj (Izet Kallaba) ka qenë kompozitor, kështuqë, bazat e artit i keni marrë që në fëmijëri. Por tash, që jeni larg, sa ju mungon familja, shoqëria dhe angazhimi dinamik skenik?

Fatmirësisht babi im jeton afër meje në Nju Jork bashkë me nënën time, dhe ky fat po i përcjell tani edhe fëmijët e mi, që njësoj si ne dikur, edhe ato sot të rriten në frymë Arti. Babi im ka filluar ta njoftoj vajzën time Anën me instrumentet ku po e shoh se po i pëlqen muzika. Pjesa tjetër e familjes më mungojnë shumë, aq sa edhe shoqëria. Sa i përket angazhimit dinamik skenik, tani për tani po bëjë pushim ngase po merrem me rritjen e vajzave të mia, që për mua janë gjithçka.

Në SHBA, sigurisht është shumë vështirë të bësh karrierë, aq më parë që tashmë jeni bërë edhe nënë. Çfarë ndjenje është të jesh nënë dhe sa po arrin t’u dalësh mbanë angazhimeve gjithfare, e parasëgjithash atyre familjare?

Nuk është lehtë të bësh karrierë e sidomos kur fëmijët janë të vegjël, sepse koha nuk premton të vraposh pas punëve që profesioni jonë i ka. Por, edhe unë fare pak jam fokusuar të bëjë karrierë, sepse nuk mund të bëhen të dyja në të njëjtën kohë. Jam nënë që kam dashur t’i përkushtohem krejtësisht vajzave dhe të bëjë çmos që ta meritoj dhe arsyetoj epitetin nënë. Në këtë fazë kur vajzat janë të vogla, dua të jem afër tyre në çdo moment, mjafton energjia ime për to tani, dhe nuk dua ato të ndjejnë mungesën e nënës, së paku në këtë fazë. Megjithatë, gjatë kohës kur isha shtatzënë, kam mbaruar edhe një shkollë për Dizajn Mode në Manhattan (Nju Jork), e kam pasion modën, dhe kur dëgjova që ligjëronte disenjatori i famshëm, i njohur nga Show televiziv “Project Runway” Benjamin Mac, vendosa të ndjek atë klasë dhe përfitova shumë nga eksperienca e tij profesionale. Kurse profesioni im si regjisore kërkon një përkushtim të jashtëzakonshëm, pasi që është pune ekipore, dhe është më vështirë ta realizoj tani me fëmijë. Pres edhe pak kohë sa të rriten fëmijët dhe të shkojnë në parashkollor, pastaj do të gjejë kohe të merrem edhe me profesionin tim.

Natyrisht, se largësia e bën të veten dhe ju sigurisht keni qenë e lidhur me nënën qysh herët. Sa po iu mungon distanca dhe dashuria që ushqeni për të, sepse nuk thuhet kot: kur njeriu i numëron gjërat e vlefshme që ka, nenën e numëron dy herë.

Nëse nënën e numërojnë të gjithë dy herë, unë do ta numëroja nënën time 10 herë, sepse shumë pak nëna bëjnë atë që ajo e bëri për ne, pesë fëmijët e saj. Kur erdhi koha të lindja vajzën e parë Anën, nëna jetonte në Teksas, ku ishte e stabilizuar mirë me punë e të gjitha, unë mërzitesha që isha e vetme dhe nuk dija si do t’ia bëja me beben. Ajo, kur e pa se mërzitesha, bashkë me babin tim u shpërngulen në Nju Jork, vetëm të më dilte në ndihmë. Tani jeton afër meje, në një lagje, dhe ajo ishte e para pas Ardit (burrit tim) që mbajti në dorë Anën dhe është lidhur me të emocionalisht. E shoh se e ka të vështirë, nëse nuk e sheh edhe vetëm një ditë, duke mos e treguar. Çdo mëngjes e ushqen sa herë Ana rebelohet dhe çdo mbrëmje kur të kthehet nga puna, vjen dhe e vendos në gjumë, vetëm e vetëm nga dashuria e madhe që ka për të, por, edhe shumë e shumë sakrifica që bënë ajo, që hapësira nuk na lejon t’i përmendim këtu. Është nënë që nuk heq dorë nga ne, edhe në këtë moshë, ku secili jemi më shumë se 30 vjeç, dhe gjithë mundin, energjinë dhe përfitimet që ajo ka, i shpenzon për neve fëmijët e saj. Do të isha e lumtur sikur të bëhesha edhe sa gjysma e saj për vajzat e mia. Nga shpjegimet e të dërguarve të Zotit thuhet se “Nëna, Xhenetin (Parajsën) e fiton me kujdesin e saj ndaj fëmijëve”, e unë e lumtur jam se nena ime e ka të fituar atë!

Këtyre ditëve keni lindur edhe vajzën e dytë dhe sigurisht nuk e ndieni peshën e vetmisë. Si për koincidencë të mirë, atje, prej kohësh e keni motrën, burrin, fëmijën e parë, e tashmë edhe nënën. Ua lehtëson kjo angazhimet dhe ju krijon frymëmarrje për krijimtari artistike…

Vajza ime e dytë Arda tani i bënë dy muaj, nuk e kam shumë të vështirë, sepse kam përkrahjen e Ardianit, burrit tim, i cili është shumë i dhënë pas fëmijëve, është baba i përkushtuar, por gjithashtu jam me fat që kam afër prindërit e mi, të cilët jo vetëm që më ndihmojnë shumë në rritjen e tyre, por gjithashtu edhe vajzat e mia janë të pasura të kenë afër gjyshin dhe gjyshen që u japin atyre dashuri të pakusht në çdo moment. Tani që janë të dyja, dhe Arda është e vogël, unë jam me e zënë me te voglën, dhe jo çdo herë kam mundësi t’i përkushtohemi çdo dëshirë të Anës, sepse Ardi punon gjatë ditës, dhe gjyshi e gjyshja janë ata që ia plotësojnë Anës çdo dëshirë, sidomos për të dalë ne park apo në plazh çdo ditë. Ne, vikendet i bëjmë më shumë së bashku, unë Ardi dhe fëmijët. Kurse sa i përket krijimeve artistike, siç e ceka më lart, nuk është se nuk mund të gjejë kohë, e ti lë vajzat me mamin, por jam vetë unë ajo që dua t’i shohë duke u rritur, dhe nuk dua të kalojë shumë orë larg tyre.

Jemi në dijeni se megjithatë, tashmë jeni kyçur në rrjedhat e festivaleve, kryesisht shqiptare. A ka gjasë dhe potencial që edhe atje të formohet një trupë e denjë artistike kur dihet se në SHBA ka shumë figura të shquara që nga Belushët e këtej…

Kam qenë e kyçur në fillim si anëtare e jurisë në Festivalin e Studentëve të filmit Shqiptar në Nju Jork, dhe në disa aktivitete të tjera të organizuara nga Artistët shqiptarë të Amerikës, por në momentin që kam ngelur shtatzënë, shkoja vetëm në punë, dhe fillova t’i reduktoj angazhimet e mia, pasi që kisha nevojë ta shijoj më me qetësi shtatzëninë. Kisha vite që punoja pa u ndalur fare, dhe e ndjeja veten pak të lodhur, kisha nevojë të isha larg çdo rutine që kisha bërë deri atëherë. Këtu ka shumë artistë të suksesshëm shqiptar, ku shumicën prej tyre i kam edhe miq, si Jimmy Biberaj, Luan Bexheti, Eliza Dushku, e shumë e shumë të tjerë qe nëse do të gjendet një producent i mirë që mund t’i mbledh të gjithë, besoj se do të kishin mundësi të bënin një trupë të denjë artistësh ku suksesi do të ishte i garantuar.

Në Nju Jork, prej disa vitesh ekziston edhe java e filmit shqiptar. A jeni e kyçur në këtë festival dhe si e vlerësoni atë?

Kam qenë e ftuar për bashkëpunim nga organizatorja e festivalit, Mrika Krasniqi, por e kisha të pamundur të kyçesha plotësisht, sepse punoja gjatë ditës në studio, dhe isha e angazhuar në disa projekte tjera të vogla. Në vitin e parë kam qenë mysafire dhe është ide e mirë organizimi i këtij festivali, pasi u jep mundësi artistëve tanë të vijnë këtu dhe ta prezantojnë punën e tyre.

Para se të merrnit pushimit e lehonisë, ishit e angazhuar te studio e mjeshtrit të fotografisë Fadil Berisha. Ekziston bindja se Fadili është i gatshëm t’i përkrahë gjithkënd që ka mundësi, aq më tepër artistët e rinj…

Tre vite kam punuar në studion e Fadilit, kam bërë post produksion të fotografive që ai realizonte, dhe gjatë gjithë shtatzënisë me Anën, deri në muajin e nëntë, kam punuar. Kur Ana lindi, nuk shkova më në studio, porse tani, kur ata kanë shumë punë, kur gjej kohë, iu ndihmoj nga shtëpia. Fadili, mua personalisht më ka ndihmuar në fillim, duke më punësuar në studion e tij, edhe pse nuk kisha përvojë për punën që e bëja aty, por e mësova shpejt. Mendoj se kam dhënë kontributin tim maksimal aty. Ai ju ndihmon të rinjve sidomos fotografëve dhe modeleve, sepse përvoja e tij është e madhe dhe figurën shqiptare ka rritur ta prezantojë në mënyrën më të bukur para botës.

Po bëhen pesë vjet që jetoni në Nju Jork. A keni punuar diçka gjatë kësaj periudhe në profesionin tuaj dhe sa keni arritur të adaptoheni në një mjedis aq dinamik?

Në fillim, bashkë me aktorët shqiptarë të cilët jetojnë këtu, realizuam shfaqjen “Colonel Bird” e autorit Hristo Bojcev, në Teatrin Producers Club në Manahttan. Një vit më vonë u bëra pjesë e filmit të shkurtër të montazherit të famshëm Lee Percy, fitues i çmimit Emmy, ku ai tani po merret edhe me regji të filmit, ndërsa unë isha drejtore artistike e filmit të tij. Në planin e radhës ishte realizimi i një filmi të shkurtër, të bëja unë regji, por erdhi në jetë vajza ime dhe ndërpreva aktivitetet. Ishte e pamundur të merresha me regji, duke e ditur se është punë ekipore, kërkon përkushtim të jashtëzakonshëm, kohë dhe energji, dhe në Nju Jork, nuk është e lehtë që të bësh shumë gjëra në të njëjtën kohë, pasi qe ku të nisesh, mbase edhe për një kafe të dalësh, duhet të bësh shumë rrugë në trafik, e lëre më nëse fillon të punosh ndonjë projekt. Edhe pse unë jam përshtatur në këtë vend, me plot bindje e them se çdo ndryshim i këtij dinamizmi në jetën time, nuk do të më bënte mirë. Janë bërë pesë vite që më duken si pesë muaj… aq shpejt fluturon koha këtu, sa nuk ke kohë as të mërzitesh për asgjë.

Ndonëse Amerika është ‘toka e premtuar’ ku secili mundet ta realizojë ëndrrën e vet, megjithatë, mbase ju mungon Kosova dhe Gjilani – vendlindja ku bëtë hapat e parë në jetë.

Vendi ynë, thellë nga brendësia na mungon çdo njërit që jetojmë jashtë tij, aty ku merr frymë për herë të parë kur vjen në jetë, ai ajër dhe ajo energji sado negative të jetë, na mungon sepse në atë frymë jemi rritur. Një gjë e mendoj në vete, dhe e kam merak gjithë jetën, përse edhe vendi im Kosova nuk është në të njëjtin nivel me vendet e zhvilluara, kur ka një popull kaq të mrekullueshëm, përse nuk ka drejtësi siç ka në Amerikë, përse nuk ka kushte shëndetësore, shkollim, ekonomi, e shumë e shumë gjëra të tjera. Fare thjesht, nga padrejtësitë e shumta që ndodhin atje, sot, shumë të rinj jetojnë diku tjetër e jo aty, ku është dashur të jenë.

A mendoni të riktheheni ndonjëherë, apo keni vendosur që Amerikën ta keni atdheun e dytë?

Te them të drejtën, unë kurrë nuk bëj plane, gjithmonë e jetoj të tashmen, pa e menduar të kaluarën dhe të ardhmen. Tani për tani Amerika është atdheu im i dytë dhe nuk mund të them asgjë për të ardhmen, por vendin tim gjithmonë do ta dua, ta çmoj dhe gjithmonë do të ndjehem krenare prej nga vij.

Arta, duke ju dëshiruar suksese të prekshme, do të dëshironim të dinim për projektet tuaja në të ardhmen, apo shumë gjera ia lini fatit?

Ju faleminderit shumë, shpresoj të kem suksese një ditë. Në këtë fazë siç jam, me dy vajza të vogla, njëra një vit e gjysmë, e tjetra ende nuk i ka bërë dy muaj, nuk mund të planifikoj ndonjë gjë për momentin, por jam e sigurt se me profesionin tim do të merrem sa herë që të kem mundësi, kohë e energji, nëse don Zoti. /Telegrafi/

Photo cover: Fadil Berisha

Në trend

Më shumë
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
E çuditur nga komentet negative, Era Istrefi reagon e revoltuar: Dikush qëllimshëm po mi shkruan

E çuditur nga komentet negative, Era Istrefi reagon e revoltuar: Dikush qëllimshëm po mi shkruan

Magazina
“Jam tifozi i tij më i madh” – Rakitic emëron ikonën e Barçës si lojtarin e tij të preferuar, nuk është Messi

“Jam tifozi i tij më i madh” – Rakitic emëron ikonën e Barçës si lojtarin e tij të preferuar, nuk është Messi

La Liga
Pezulloi detyrat publike për shkak të akuzave ndaj bashkëshortes, Rama i del në krah kryeministrit spanjoll

Pezulloi detyrat publike për shkak të akuzave ndaj bashkëshortes, Rama i del në krah kryeministrit spanjoll

Lajme
Aeroplani gjigant u “përplas” dy herë në pistën e aeroportit të Kalifornisë – rrotat nxirrnin tym – pastaj u ngrit përsëri

Aeroplani gjigant u “përplas” dy herë në pistën e aeroportit të Kalifornisë – rrotat nxirrnin tym – pastaj u ngrit përsëri

Amerika
Një takim mes Massimilianos dhe Heidit në Big Brother VIP Albania 3? Veprimi i ish-partnerit të saj në Grande Fratello ngre dyshimet

Një takim mes Massimilianos dhe Heidit në Big Brother VIP Albania 3? Veprimi i ish-partnerit të saj në Grande Fratello ngre dyshimet

Magazina
Kalo në kategori