LAJMI I FUNDIT:

Arrestohet pronari i kompanisë “Uji i Pejës” për aksidentin në Gjilan

Arrestohet pronari i kompanisë “Uji i Pejës” për aksidentin në Gjilan

Prokuroria e Kosovës ka bërë të ditur sot se është ndaluar për 48-orë, V.T., pronari i kompanisë ‘Uji i Pejës’, kamioni i të cilës kompani shkaktoi aksident të rëndë në Gjilan ku mbeti i vdekur një person.

Liridona Xheladini nga Prokuroria e Gjilanit ka bërë të ditur për Insajderin se ai është ndaluar për 48 orë për veprën penale “Mbikëqyrje e pandërgjegjshme e trafikut rrugor”.


“Pronari është ndaluar për 48 orë për shkak të dyshimit të veprës penale “Mbikëqyrja e pandërgjegjshme e trafikut publik, nga neni 381, paragrafi 2 të KPRK”, ka thënë Liridona Xheladini.

Ndërsa në njoftimin e policisë thuhet se “pronari i  firmës  së cilës i përkiste kamioni i përfshirë në aksiden është arrestuar,  me  dyshimin se automjetit  transportues nuk i ka punuar sistemi i frenimit dhe i njëjti nuk është i regjistruar dhe nuk posedon kontroll teknike”.

Ndërkaq, kompania“Uji i Pejës”, ka dhënë një përgjigje me shkrim për RTV Dukagjinin përmes të cilës thonë se kamioni i përfshirë në aksident i ka pasur të kryera të gjitha kontrollet e nevojshme.

“Lajmin për aksidentin në qendër të Gjilanit, kompania “Uji Pejës” e ka përjetuar shumë rëndë.

Aksident ky që u shkaktua nga kamioni i kompanisë tonë.

Ne fillimisht shprehim ngushëllime për familjen që humbi më të dashurin e tyre dhe të lënduarve të tjerë, u dëshirojmë shërim sa më të shpejtë.

Kompania dëshiron që përmes kësaj komunikate, të sqarojë se kamioni i përfshirë në këtë aksident ka pasur të kryera të gjitha kontrollet dhe testet e nevojshme”, thuhej në përgjigjen e tyre.