Arrestohen dy persona të dyshuar për vjedhje në Pejë

Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar në lidhje me një rast të vjedhjes që ka ndodhur në rrugën “Ekrem Berisha” në Pejë.
Sipas njoftimit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, rasti është raportuar më 11 nëntor 2025, kur ankuesja ka njoftuar policinë se nga dhoma e saj ishte vjedhur një sasi ari.
“Policia menjëherë ka shkuar në vendin e ngjarjes, ku nga ankuesja është kuptuar se të njëjtës i është vjedhur një sasi ari nga dhoma e saj,” thuhet në njoftim.
Pas një pune intensive hetimore, hetuesit e stacionit policor në Pejë kanë arritur të identifikojnë dhe të arrestojnë një person të dyshuar, i cili rezulton të jetë i mitur.
“Gjatë intervistimit, i dyshuari ka deklaruar se arin e kishte shitur te një person tjetër,” ka bërë të ditur policia.
Në vazhdim, është arrestuar edhe personi i dytë i përfshirë në rast, i cili dyshohet për veprën penale ‘blerje apo fshehje e mallrave të përfituara me anë të veprës penale’.
“Nga i njëjti janë sekuestruar disa nga sendet që i kishte blerë nga i dyshuari i parë, që i kishte vjedhur,” thuhet në komunikatë.
Pas intervistimit, dhe me urdhër të prokurorit të shtetit, të dy të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.
Policia ka bërë të ditur se hetimet për rastin janë ende në vijim me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave. /Telegrafi/


















































