Arne Slot zbulon se si Gyokeres do ta ndryshojë stilin e lojës së Arsenalit

Arne Slot ka ofruar një analizë taktike të ndryshimeve që ka bërë Arsenal pas nënshkrimit me Viktor Gyokeres, përpara përballjes mes Liverpool dhe Arsenalit këtë fundjavë.
Duke folur për mediat të premten, trajneri holandez u pyet rreth ndryshimeve taktike të Mikel Artetës dhe ndikimit të sulmuesit të ri suedez në skemën e londinezëve.
Slot vlerësoi se, në përgjithësi, mënyra e lojës së Arsenalit nuk ka ndryshuar ndjeshëm, por theksoi se Gyokeres sjell një profil ndryshe në sulm, krahasuar me opsionet e mëparshme si Kai Havertz dhe Leandro Trossard, të cilët i përshkroi si "sulmues fals”, pa një qëndrim klasik në zonë.
“Ka shumë ngjashmëri mes të dyja skuadrave. Nuk mendoj se stili i lojës së Arsenalit ka ndryshuar shumë me transferimet e reja”.
“Ndoshta kanë një numër nëntë ndryshe nga sezoni i kaluar. Gabriel Jesus ishte një ‘9 i vërtetë', por ai nuk luajti shumë”.
“Ai që kanë tani është i ndryshëm nga Havertz ose Trossard, që luajtën atje në ndeshjen tonë në shtëpi sezonin e kaluar”.
“Ata ishin më shumë 'sulmues fals’, ndërsa Gyokeres është më shumë si një sulmues i mirëfilltë”.
“Ky është ndoshta një ndryshim i vogël. Duhet të dimë kur ai bën më shumë vrapime në prapavijë, gjë që sulmuesit e mëparshëm nuk e bënin”.
“Por, në përgjithësi, unë shoh shumë ngjashmëri mes Arsenalit të këtij sezoni dhe atij të kaluar. Dhe e njëjta gjë vlen edhe për ne”, përfundoi holandezi./Telegrafi/



















































