LAJMI I FUNDIT:

Arkitektura inventive e Friedensreich Hundertwasserit (Foto)

Arkitektura inventive e Friedensreich Hundertwasserit (Foto)

Telegrafi më poshtë ju prezanton disa nga projektet më të guximshme e më unike të arkitektit të famshëm Friedensreich Hundertwasser.

Friedrich Stowasser (1928-2000), i njohur më shumë me pseudonimin Friedensreich Hundertwasser Regentag Dunkelbunt, ishte artist austriak që jetën e kaloi në Zelandën e Re. Por, këtë profesion e ushtroi tek nga mosha 55-vjeçare, pasi kishte ndërtuar një reputacionin si piktor.


Njihej si kundërshtar i “vijës së drejtë” dhe vepra e tij është e njohur për përdorimin e ngjyrave të ndritshme, dekorimin me dorë, linjat e shtrembëruara dhe dëshirën për të qenë në kontakt me natyrën. Për nga estetika shpesh krahasohet me arkitektin Antoni Gaudin, pasi të dy preferonin forma të parregullta dhe organike.

Hundertwasser u bë i njohur si “doktor i arkitekturës”, meqë shpesh “trajtoi” ndërtesat e reja dhe të vjetra, duke i dekoruar për të zvogëluar “ndotjen e tyre vizuale” në mjedis. Arkitekti kishte pikëpamje të duhura për qëllimin e ndërtesave dhe shkroi shumë manifestime dhe ese për të artikuluar mendimet e tij. Filozofia e tij kryesore ishte se mjerimi njerëzor ishte rezultat i një arkitekture racionale, sterile, monotone, e ndërtuar sipas traditës së arkitektit austriak Adolf Loos, autor i manifestit modernist, “Ornamenti dhe krimi” (1908). Hundertwasser kërkonte bojkot të këtij lloji të arkitekturës dhe liri kreative të ndërtesave dhe të drejtën për të krijuar struktura individuale.

Më poshtë mund të shikoni disa nga veprat e tij ikonike.

HUNDERTWASSERHAUS, VJENË, AUSTRI

E projektuar në vitin 1983 dhe e përfunduar në vitin 1986, Hundertwasserhaus është një bllok apartamentesh në Vjenë (Austri). Ndërtesa ka kate të valëzuara, çati të mbuluar me dhé e bar dhe pemë të mëdha që rriten brenda dhomave – si gjymtyrë që dalin nga ndërtesa. E vendosur në qarkun e Landstraße, kjo është një nga veprat më të njohura të Hundertwasserit, pasi është bërë pikë referimi në zonë. Për shkak të estetikës individualiste dhe surrealiste, shumë njerëz e shohin si ndërtesë ekspresive për mënyrën se si format e shtrembëruar të ndërtesës ndalojnë një reagim emocional nga spektatori. Hundertwasser nuk ka marrë pagesë për këtë projekt, duke thënë se ishte investim që ia vlejti për të “parandaluar diçka të shëmtuar të ngritët në atë vend “.

KUNSTHAUSWIEN, VJENË, AUSTRI

KunstHausWien është muze në Vjenë që ekspozon veprat e Hundertwasserit. Muzeu u krijua duke rinovuar një ndërtesë të vitit 1892 – që ishte fabrika e mobileve Thonet (që krijoi karrigen ikonike bistro). E përfunduar në vitin 1991, ndërtesa është projektuar në stilin tipik Hundertwasser, me kate të valëzuara dhe mungesa të linjave të drejta. Dhomat ndriçohen nga drita e Diellit, ndërsa fasada është dekoruar me emal në formë mozaiku të shahut. Për dallim nga Gaudi, i cili kishte stil të ngjashëm, Hundertwasser përdorte gurë simetrik të mozaikëve, të rregulluar me kujdes.

WALDSPIRALE, DARMSTADT, GJERMANI

Waldspirale është një kompleks banesor në Darmstadt të Gjermanisë, i ndërtuar në vitet 1990 dhe i përfunduar në vitin 2000. Emri përkthehet si “spirale pyjore”, që reflektohet në planin e përgjithshëm të ndërtesës dhe faktin se ka një çati të gjelbër. Ndërtesa në formë të shkronjës “U” nuk ndjek rregullin e rrjetës e kjo shihet sidomos me dritare. Hundertwasser e quante këtë: “Au der Reihe tanzen” (vallëzim jashtë linjës). Të 1,000 dritaret janë unike. Po ashtu, ka dorëza të ndryshme në dyer dhe dritare të çdo banese, disa nga të cilat janë dekoruar me stilin e Hundertwasserit. Ndërtesa ka çati diagonale, ku ka bar, shkurre, lule dhe pemët nëpër fasadë mbijnë nga dritaret.

SPITTELAU WASTE INCINERATION PLANT, VJENË, AUSTRI

Pas një zjarri, fabrika e përpunimit të mbeturinave ishte rinovuar nga Hundertwasser. Ai fillimisht ishte kundër projektit për shkak të ndotjes që kishte krijuar, por u bind shpejt nga kryebashkiaku Helmut Zilk, i cili i premtoi se impianti do të pajiset me teknologjinë më moderne të pastrimit të emetimeve dhe se energjia do të përdoret për të ngrohur shtëpitë në mënyrë efikase, duke e bërë ajrin e Vjenës më të pastër. Hundertwasser ishte përgjegjës për ndryshimin e fasadës në një vepër arti që përfundoi në vitin 1992. Pjesa e jashtme e ndërtesës dhe oxhaku u zbukuruan në stilin e preferuar të arkitektit, me sfera të arta në oxhak, dekorim në formë shahu dhe dritare në forma të çrregullta.

SAINT BARBARA, BARNBACH, AUSTRI

Kisha e Shën Barbarës në Barnbach është me ngjyra dhe pozitivitet, fal ridizajnimit të ndërtesës nga Hundertwasser në vitin 1988. Arkitektit iu dha liria e veprimit në kishë dhe rrethinë të saj. Ai nisi pikturimin e pjesës së jashtme me simbole dhe imazhe. Arkitekti gjithashtu e shndërroi kambanarin në kullë të madhe me një orë në secilën anë, njëra nga të cilat nuk ka numra. Rreth kishës, Hundertwasser krijoi 12 porta, të cilat kishin për qëllim të përfaqësonin çdo fe të botës – si gjest mikpritës.

ROGNER BAD BLUMAU, AUSTRI

Hoteli u projektua nga Hundertwasser te burimet e nxehta në Bad Blumau të Austrisë. Ky ishte projekti më i madh i arkitektit. I hapur në vitin 1997, hoteli i përket zinxhirit Rogner dhe është pikë reference në rajon. I projektuar në stilin sporadik të Hundertwasserit, kompleksi është plot me çati druri, forma organike, fasada shumëngjyrëshe, kupola të arta, mbi 300 kolona të ngjyrosura dhe mbi 2,400 dritare unike.

KUCHLBAUER TOWER, ABENSBERG, GJERMANI

Kulla Kuchlbauer është kullë vrojtimi në hapësirën e fabrikës së birrës Kuchlbauer në Bavarinë e Poshtme. U konceptua dhe u projektua nga Hundertwasser, që vdiq gjatë fazës së planifikimit më 2000. Kulla 34.19 metra e lartë u përfundua nën drejtimin e Leonhard Salleckut – pronar i birrarisë – dhe me arkitektin Peter Pelikan që mbikëqyri ndërtimin. Brenda kullës është një muze që mban një koleksion prej 4,200 gotave Weissbier.

MAISHIMA INCINERATION PLANT, OSAKA, JAPONI

Dizajni i Hundertwasserit për impiantin e djegieve Maishima e bashkon teknologjinë me mjedisin dhe artin. Edhe këtu shihen kupolat e arta të qepës (quhen kështu, për shkak të formës), dekorimi në formë shahu dhe linjat e kuqe e të verdha. Aty duken 500 dritare, po 130 janë reale. Ndërtesa përfundoi më 2001, një vit pas vdekjes së arkitektit. Çdo vit mijëra vizitorë shkojnë aty edhe gabimisht, duke menduar se është ndonjë studio arti e jo vend ku përpunohen 900 tonelata bërllok në ditë. /Telegrafi/