LAJMI I FUNDIT:

Arjanit Hoxha: Në skenën politike jam që 13 vjet dhe kam përjetuar ndryshimet më të mëdha politike në vend

Arjanit Hoxha: Në skenën politike jam që 13 vjet dhe kam përjetuar ndryshimet më të mëdha politike në vend

Personazhet nga skena politike vendase i njohim nga daljet e tyre të shumta televizive, debate politike apo fjalime të fuqishme. Por, këtë herë Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Besa, Arjanit Hoxha vjen në një intervistë për Telegrafi Maqedoni ku rrëfen shumë detaje të pa treguara më parë nga skena politike, jeta profesionale dhe ajo private.

Intervistoi: Valon Osmani


Njerëzit ju njohin nga skena politike shqiptare në vendin tonë, debate dhe dalje të ndryshme publike, por kush është Arjaniti në jetën personale?

Unë jam i martuar dhe prind i tre fëmijëve. Jashtë politikës, jam pronar i një kompanie private që e kam themeluar në vitin 2009 dhe është vazhdimësi, apo të them zgjerim i biznesit familjar. Normalisht që në shumë raste të qenurit në politikë ka dëmtuar edhe biznesin por kjo nuk më ka lëkundur në asnjë moment që të bëj ndonjë hap prapa apo të mos vazhdoj me aktivitetin politik. Ashtu si në politikë edhe në jetë private jam i drejtpërdrejtë, atë që e mendoj edhe e flas. Ata që më njohin nga afër e dinë se modestinë e jetës private e reflektoj edhe në jetën politike.

Si e kujtoni fillimin tuaj në skenën politike?

Për herë të parë kur jam kyçur në politikë, skena politike ka qenë mjaft e elektrizuar dhe kjo është para 13 viteve. Prej atëherë deri më tani kanë ndryshuar shumë rrethana politike. E mbaj mend që pjesa më e sikletshme e politikës ka qenë dalja para kamerave dhe atëherë isha në përfundim të studimeve dhe gjithë kohës kam qenë i stresuar se a do del mirë deklarata apo press konferenca dhe si do perceptohet në opinion. Por, me kalimin e kohës kjo u shndërrua në rutinë të përditshme dhe kur e analizoj nga kjo perspektivë kohore mund të them se kur del dhe e thua atë që e beson dhe e ndërton rrugëtim politik me besueshmëri, si dalja e parë ashtu dhe daljet e tjera në publik nuk duhet të jenë aq stresuese sa i kam përjetuar në fillimet e karrierës politike.

Taravari: Mjekësia dhe politika kanë një të përbashkët të rëndësishme, NJERËZIT!
Lexo po ashtu Taravari: Mjekësia dhe politika kanë një të përbashkët të rëndësishme, NJERËZIT!

Sa është sakrifikuese politika për jetën private, ke mjaftueshëm kohë për familjen?

Mund të them se është jashtëzakonisht sakrificë e madhe. Koha e kaluar me familjen për fat të keq është shumë e limituar dhe shpesh herë qëllon që të kem anuluar edhe rezervime të pushimeve apo vizitave me familjen më të ngushtë shkaku i ndonjë takimi politik apo aktiviteti partiak. Mund të them se nëse nuk do ishte mbështetja e parezervë e familjes do ishte shumë vështirë rrugëtimi im politik.

Ju jeni i martuar, pavarësisht se në media as edhe një herë nuk është folur për jetën tuaj private. Na tregoni si u njohët me bashkëshorten tuaj?

Mund të them se prindërit dhe bashkëshortja ime janë përkrahësit e mi më të mëdhenj të cilët më mbështesin në çdo vendim dhe veprim politik. Me bashkëshorten jemi njoftuar gjatë studimeve në Tetovë dhe ka qenë pikërisht në atë periudhë kur edhe kam filluar të merrem me politikë, kështu që pas 13 viteve që i kemi kaluar bashkë jeta ime politike është shndërruar në përditshmëri për bashkëshorten.

Do të doje që në të ardhmen fëmijët e tu të merren me politikë?

Ashtu si e theksova edhe në fillim, skena politike është aq dinamike dhe ndryshon brenda viteve shumë. Nëse para shumë viteve armiqësia brenda partive ka qenë më e madhe, sot me gjithë avancimin e teknologjisë sulmi ndaj politikanëve me shpifje dhe fabrikime është shumë më i theksuar. Dhe nëse trendi i politikës do vazhdoi në këtë formë, asnjëherë nuk do kisha dashur që ndonjëri nga fëmijët e mi të merret me politikë. Shpesh mundohem ta vendos veten në vendin e prindërve të mi dhe besoj që nëse i pyesni, edhe ata nuk do të ishin pajtuar që unë të merrem me politikë. Kështu që nëse është përzgjedhje e fëmijëve të merren me politikë do i kisha përkrahur por nëse do të duhej që unë të vendos, atëherë nuk do isha pajtuar!