LAJMI I FUNDIT:

Arineta Mula dhe BNA në promovim të Ballkanit

Arineta Mula dhe BNA në promovim të Ballkanit

Arineta Mula dhe ‘Balkan Natural Adventure’ kanë lidhur partneritet në mënyrë që së bashku të promovojnë bjeshkët e Ballkanit dhe pjesëmarrjen e femrave në profesionin e guidës në Kosovë, gjatë vitit 2018 dhe tutje.

Arineta Mula ka fituar famë botërore duke qenë femra e parë e një ekipi kosovarë që ka ngjitur Mont Everestin dhe personi i parë nga rajoni që ka ngjitur majën e famshme Ama Dablam. Arineta një sportiste e klasit të parë nuk ka të ndalur pasi ajo tashmë ka ngjitur edhe majën Eiger dhe Matterhorn në Zvicër.


‘Balkan Natural Adventure’ është një kompani e re por me një përkushtim të madh në cilësi dhe promovim. Kompania tashmë ka pasur klientë prestigjioz si gazetarët e The Financial Times, përderisa ka shërbyer vizitorë nga e tërë bota duke përshi Singapurin e Taiwanin në Azi, Argjentinën në Amerikën e Jugut dhe vizitorë të tjerë gati nga secili vend i Evropës.

Në bazë të këtij partneriteti Arineta Mula do të udhëheqë një grup turistësh ndërkombëtar në shtegun ‘Peaks of the Balkans’ të adoptuar sipas Arinetës, ndërsa Balkan Natural Adventure do të organizojë tërë çështjet operative rreth kësaj oferte.

“Ne jemi shumë të lumtur dhe të nderuar që mundemi të ofrojmë shërbime për Arinetën dhe një grup të udhëhequr nga ajo. Si gjithmonë të gjitha çështjet operative do të zbatohen në mënyrë të shkëlqyeshme”, ka thënë Nol Krasniqi Drejtor për Operacione ne Balkan Natural Adventure.

“Për mua është mirë që në përkrahje të kam një ekip siç është ai i Balkan Natural Adventure. Janë njerëz të përkushtuar në punën që e bëjnë dhe dhe shumë të përshtatshëm që të punohet me ta”, ka thënë Arineta.

Udhëtimi do të fillojë më datë 15 korrik dhe do të zgjasë për 10 ditë. Më shumë www.bnadventure.com