LAJMI I FUNDIT:

​Arifi: Nga privatizimi nuk kanë përfituar të gjithë punëtorët njësoj, ka pasur diskriminim

​Arifi: Nga privatizimi nuk kanë përfituar të gjithë punëtorët njësoj, ka pasur diskriminim

Ish-anëtari i Bordit në Agjencisë Kosovare për Privatizim, përfaqësuesi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Haxhi Arifi ka folur për diskriminimin e punëtorëve në procesin e privatizimit.

Në dëshminë e tij para Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë, Arifi ka thënë se privatizimi ka ardhur pasi janë shkatërruar ndërmarrjet, gjë që sipas tij, ka zbehur interesimin e investitorëve.


Arifi tha para deputetëve se punëtorët nuk kanë përfituar në mënyrë të barabartë nga privatizimi.

“Privatizimi si privatizim i ka sukseset e veta, megjithatë ne si BSPK asnjëherë nuk jemi pajtuar për shkak të, e kam quajtur në konferenca për shtyp gjithmonë, diskriminimit të kësaj periudhe kohore, viteve të 90. Ju e dini sigurisht se atëherë të gjithë punëtorët janë larguar, mos të them brenda ditës, javës apo muajit, dhe është bërë etnikisht spastrimi i vendeve të punës, nga ish-regjimi. 20% u ka takuar punëtorëve me atë ligj të AKM-së, ose Kombeve të Bashkuara. Ky është një diskriminim që është bërë sepse të gjitha mjetet që janë grumbulluar për 20 për qind, mendoj se finalizimi kish me qenë më i drejtë, sepse nuk kanë marrë nga privatizimi të gjithë punëtorët njësoj, diku ka pas punëtorë më shumë, shitja ka qenë në një shumë të vogël, dhe ata ndoshta mesataren e kanë pasur 200 euro, dikush i ka marrë ndoshta deri në 100 mijë euro”, tha Arifi.

Sipas tij, në vitet e nëntëdhjeta shqiptarët janë spastruar etnikisht nga vendet e punës por më vonë këtë ua ka bërë edhe vet shteti i tyre.

“Kërkesa ime ka qenë kjo, me u përfshi të gjithë në fondin e 20% të privatizimit, nuk ka qenë ndonjë numër i madh dhe besoj se po të kishte ndodh ajo, të gjithë punëtorët e kishin marrë një shumë, që nuk i kish nxjerrë nga situate sepse e kanë humbur vendin e punës I ka qit dikush me dhunë. Gjë që e kemi thënë edhe atëherë, sepse ne po spastrohemi nga vendet e punës por do të spastrohemi edhe nga shteti jonë, edhe ashtu ndodhi. Mendoj se në këtë privatizim politikat ndoshta kishin mundur me qenë më ndryshe që punëtorët të cilët pa fajin e tyre kanë mbetur pa vendin e tyre të punës edhe gjatë viteve 90-99, por edhe pasi ka kaluar ajo periudhë, punëtorët shumica nuk janë kthyer në vendin e tyre të punës”, tha ai.

Ai tha se në Kosovë privatizimi ka ndodhur pasi janë shkatërruar ndërmarrjet, gjë që sipas tij, ka ndikuar në mos-interesim të investitorëve.

“Na ndodhi privatizimi kur u shkatërruan të gjitha ndërmarrjet. Të investitorët e jashtëm fare pak ka pasur të interesuar sepse kur e vizitoje ndërmarrjen deri 99 me lëvizje diskriminuese çdo gjë u bashkua me ndërmarrjet ne Serbi, pastaj pas vitit 2000 ishte një periudhë kohore te cilën ndërmarrjet, udhëheqjet edhe gjatë privatizimit kishin dëshirë me ua humb vlerën. Ajo çka ka qenë kryesorja, investitorët e jashtëm hezitonin të marrin pjesë sepse ishin ndërmarrjet e shkatërruara, ata dëshironin gradacionin kur vinë me investu diçka. Ndërmarrjet e humbën efektiv e vet të vlerës, pastaj ka ndodh çka ka ndodh të spin-offet speciale që çmimet ndoshta kanë ra pak”, shtoi ai.

Ndër të tjera, Arifi tha se ndryshimet që janë bërë herë pas herë në ligj nuk kanë qenë në dobi të punëtorëve meqë kërkesat e tyre nuk janë futur aty. /KP/