LAJMI I FUNDIT:

Apeli vërteton dënimin me 5 vite burgim ndaj serbit për krime lufte në Bellopojë të Pejës, gjatë vitit 1999

Apeli vërteton dënimin me 5 vite burgim ndaj serbit për krime lufte në Bellopojë të Pejës, gjatë vitit 1999

Gjykata e Apelit ka vërtetuar dënimin me 5 vite burgim ndaj të dënuarit për krime lufte në ’98-ën në Bellopojë të Pejës, Svetomir Baceviç.

E kjo pas refuzimit të ankesave të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), mbrojtësit të të dënuarit Baceviç, avokat Dejan Vasiq, si dhe vetë të akuzuarit Baceviç, raporton “Betimi për Drejtesi”.

Ndryshe, më 8 shtator 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë, e kishte dënuar me pesë vite burgim Baceviç.

Kundër këtij, aktgjykimi, brenda afatit ligjor kishin parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit palët në procedurë.

Sipas ankesave, PSRK-ja kishte propozuar ashpërsim të dënimit ndaj Baceviç, në anën tjetër avokati Vasiq kishte propozuar lirimin e të njëjtit.

Ndërsa, Gjykata e Apelit me vendimin e 19 janarit 2023 kishte refuzuar si të pa bazuara këto ankesa, duke vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë.

Në këtë vendim thuhet se ankesat e palëve nuk kanë qenë të bazuara dhe se aktgjykimi i ankimuar nuk është përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.

“Dispozitivi është i qartë dhe i kuptueshëm ndërsa në arsyetim janë dhënë arsyet e plota dhe të qarta për fakteve vendimtare dhe se aktgjykimi i ankimuar nuk përmban asnjë shkelje tjetër të cilat kishin për të kushtëzuar anulimin e detyrueshëm të aktgjykimit të ankimuar e as që është shkelur ligji penal në dëm të të akuzuarit”, thuhet në vendim.

Tutje, Apeli ka vlerësuar se gjykata e shkallës së parë gjendjen faktike në këtë çështje penale e ka vërtetuar në mënyrë të drejtë dhe të plotë.

“Sipas vlerësimit të kësaj gjykate, gjendja faktike është vërtetuar në mënyrë të plotë dhe të drejtë ngase të gjitha faktet dhe rrethanat e rëndësishme dhe vendimtare në këtë çështje penale janë vërtetuar në përputhje me provat e administrua në shqyrtim gjyqësor dhe në këtë drejtim nuk ka gjetur ndonjë mospërputhje apo në kundërshtim me përmbajtjen e shkresave të lëndës për faktin se Gjykata e shkallës së parë nga provat e administruara në shqyrtimin gjyqësor ka vërtetuar se i akuzuari S.B, në mënyrën e përshkruar në dispozitivin e aktgjykimit të ankimuar, e ka kryer veprën penale për të cilën është shpallur fajtor”, thuhet tutje në vendim.

Ndërkaq, lidhur me ankesën e PSRK-së për ashpërsim të dënimit, sipas Apelit Gjykata Themelore në Prishtinë ka vlerësuar drejt të gjitha rrethanat konform nenit 64 të Kodit Penal të Kosovës.

“Një vlerësim të këtillë të rrethanave relevante për matjen e dënimit si të drejtë dhe të ligjshëm e pranon edhe kjo gjykatë dhe gjen se gjykata e shkallës së parë drejtë dhe në mënyrë të plotë i ka vlerësuar rrethanat të cilat ndikojnë në caktimin e llojit dhe lartësisë së dënimit”, thuhet në vendim.

Tutje, në vendimin e Apelit është theksuar se pretendimi i PSRK-së se me rastin e matjes së dënimit nuk janë vlerësuar rrethanat renduese nuk qëndron.

“Pretendimi se në dënimin e shqiptuar nuk janë vlerësuar rrethanat renduese siç janë shkalla e lartë e rrezikshmërisë se veprës penal pasi që i akuzuari kishte hyrë i armatosur në shtëpinë e të dëmtuarve, faktin se viktimat ishin në moshë të shtyrë dhe posaçërisht të pa mbrojtur, motivin e ulët për të pashtruar të dëmtuarën T.K duke e detyruar të qëndroj mbështetur për muri tek shitorja në qendër të fshatit nën kërcënimin e armës, sipas vlerësimit të kësaj gjykate janë pretendime të pa bazuara për faktin se rrethanat në të cilat thirret prokuroria kanë qenë objekt vlerësimi nga gjykata e shkallës së parë, janë peshuar në mënyrën e duhur, si të tilla nuk kanë ndikim që të akuzuarit t’i shqiptohet një dënim tjetër nga ai i cilin është shqiptuar”, thuhet në vendim.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, të ngritur më 9 nëntor 2021, thuhet se Svetomir Baceviç gjatë periudhës kohore në mes të muajve korrik-gusht të vitit 1998, në fshatin Bellopojë, Komuna e Pejës, gjatë një konflikti me karakter jo-ndërkombëtar të zhvilluar në mes të pjesëtareve të UÇK-së dhe forcave ushtarake të Republikës Federative të Jugosllavisë dhe forcave policore të Serbisë, me dashje i shkel rregullat e së Drejtës Ndërkombëtare Kundër Personave Civil.

Sipas aktakuzës, në periudhën kohore relevante për këtë aktakuzë, Baceviç merr peng të dëmtuarën Tigjë Kadrija, në atë mënyrë që ditën e incidentit, i armatosur shkon në shtëpinë e fqinjëve të tij – të dëmtuarve Rexhep dhe Tigjë Kadrija, që të dy të moshës rreth 60 vjeçare, me të cilin rast fillimisht gjuan me armë automatike në drejtim të kulmit dhe dritareve të shtëpisë, pastaj me forcë hyn në shtëpi dhe i dëmton gjësendet e shtëpisë me pretekstin se po kontrollonte për njerëz të tjerë.

Tutje, në aktakuzë thuhet se Baceviç nën tytën e armës i nxjerr në oborr të dëmtuarit dhe i keqtrajton fizikisht dhe psiqikisht, duke i urdhëruar që të ulen dhe ngritën në këmbë disa herë dhe në atë moment, nën kërcënimin e armës e rrëmben të dëmtuarën Tigjë dhe e nxjerr në rrugë, kurse të dëmtuarit Rexhep i thotë se po e dërgonte gruan e tij në shtab të ushtrisë dhe policisë serbe.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Baceviç e paralajmëron të dëmtuarin Rexhep se mund ta merrte të dëmtuarën Tigjë vetëm pasi t’i sjell pjesëtarët e UÇK-së dhe kështu, nën kanosjen e armës, duke ia vënë në shpinë tytën e armës, e detyron të dëmtuarën Tigjë që të niset nga shtëpia dhe të ecë përgjatë rrugës së fshatit, në kohë nate dhe kohë lufte, në një zonë jo shumë të banuar dhe pa ndriçim.

Tutje, sipas aktakuzës, Baceviç e dërgon të dëmtuarën Tigjë tek qendra e fshatit, ku ndalet tek shitorja dhe në prezencë të shumë personave të tjerë e mbështet për muri kurse vet me armë në dorë i rri përballë në distancë shumë të afërt, me qëllim të poshtërimit në prezencën e shumë personave të tjerë që gjendeshin tek shitorja.

Në aktakuzë thuhet se në ato momente arrin fqinji i të dëmtuarës, dëshmitari Momçilo Saviç, i cili përleshet me të pandehurin duke e goditur me grusht, me të cilin rast arrin ta shpëtoj të dëmtuarën dhe ta kthejë në shtëpinë e saj, kurse të nesërmen i merr te dy të dëmtuarit dhe në fshehtësi nga ushtria dhe policia serbe, i largon nga fshati Bellopojë, duke u krijuar mundësinë që të shkojnë në qytetin e Pejës.

Më këtë, Baceviç  ngarkohej se ka kryer veprën penale “Krimi i luftës kundër popullsisë civile”, e ndëshkuar me nenin 142 të Ligjit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale, aktualisht i ndëshkueshëm sipas veprës penale “Krime lufte në shkelje të rëndë të nenit të përbashkët për konventat e Gjenevës”, nga neni 146 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Në trend Lajme

Më shumë
Një i vrarë dhe një i plagosur me armë zjarri në Prishtinë

Një i vrarë dhe një i plagosur me armë zjarri në Prishtinë

Kronika e Zezë
Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës, opinioni i Bakoyannis sot në rend dite

Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës, opinioni i Bakoyannis sot në rend dite

Lajme
Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Lajme
“Ftojeni Kosovën që të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës”, Knaus publikon dy pika të opinionit të Dora Bakoyannis

“Ftojeni Kosovën që të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës”, Knaus publikon dy pika të opinionit të Dora Bakoyannis

Lajme
Syla: Kemi bashkëpunim me shtetet e NATO-s për blerjen e armatimit

Syla: Kemi bashkëpunim me shtetet e NATO-s për blerjen e armatimit

Siguri
U raportuan tri gropa në

U raportuan tri gropa në "Ndreqe.com", Komuna e Prishtinës intervenon në rregullimin e tyre

Prishtina
Kalo në kategori