Sulmi në zyrat e KKZ-së: Apeli ua vërteton 5 vjet burgim Llunes dhe Vllajiqit, ndërsa Pantiqit ia ul dënimin për një vit


Gjykata e Apelit ia ka zbutur dënimin nga dy vjet në një vit burg Dejan Pantiqit, i cili akuzohet për rastin e sulmit me granata në Zyrat e KKZ-së në Mitrovicë të Veriut në vitin 2022.
Sipas vendimit të Apelit, Millun Millenkoviqit – “Llune” dhe Aleksandër Vllajiqt i është vërtetuar dënimi prej 5 vitesh burg për secilin veç e veç.
Millun Millenkoviq i njohur si “Llune”, dhe ish-policët Aleksandër Vllajiq, Dejan Pantiq dhe Miomir Vakiq, akuzoheshin për sulmin me granata në Zyret e KKZ-së në Mitrovicën Veriore, në dhjetor të vitit 2022.
Gjykata Themelore në Prishtinë më 28.07.2025 i kishte dënuar Millun Millenkoviq – Llunen dhe Aleksandër Vllajiqin, secilin veç e veç me nga 5 vjet burgim.
Ndërsa, Dejan Pantiqit nga Gjykata Themelore në Prishtinë i ishte ri-cilësuar vepra penale nga kryerja e veprave penale të terrorizmit, në pjesëmarrja në turmë që kryen vepra penale dhe huliganizëm, dhe ishte dënuar me dy vjet dënim me burgim. Ndërsa Miomir Vakiq ishte liruar nga akuza.
“APROVOHET pjesërisht si e bazuar ankesa e mbrojtësit të akuzuarit Dejan Pantiq dhe NDRYSHOHET aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtine – Departamenti Special, {..} të datës 28.07.2025, në pikën II të aktgjykimit vetëm përkitazi me vendimin mbi dënimin, ashtu që Gjykata e Apelit të akuzuarit Dejan Pantiq për veprën penale për të cilën është shpall fajtor i shqipton dënim me burgim në kohëzgjatje prej 1 viti, e në të cilin dënim do të llogaritet koha e kaluar në paraburgim dhe koha e kaluar në arrest shtëpiak duke filluar nga data 10.12.2022 deri më datë 06.09.2023 {…}”- thuhet në vendimin e Apelit.
Dhjetori i vitit 2022 terrorizoi banorët e Mitrovicës së Veriut, pasi zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të vendit u sulmuan me granata dore, duke e lënë të pashfrytëzueshëm këtë objekt.
Sulmi kishte ndodhur gjatë kohës kur zyrtarët e KQZ-së po vendoseshin në këto zyre me qëllim të kryerjes së aktiviteteve të tyre për zgjedhjet që ishin planifikuar që të mbaheshin më 18.12.2022, e që më pas u shtynë për 23.04.2023.
Aktivizimi i institucioneve të vendit për të zbuluar aktorët e krimit ishte i menjëhershëm, ku pasuan disa arrestime lidhur me këtë rast. Ish-polici i Kosovës, Dejan Pantiq, i cili u arrestua më 10.12.2022 në pikën kufitare në Jarinjë në veri të Kosovës, nën dyshimet se ka qenë organizatori i këtij sulmi terrorist.
Gjykata e Apelit pas shqyrtimit të ankesës së mbrojtjes së Dejan Pantiqit, e ka ulur dënimin nga dy vjet burgim në një vit burg, duke vlerësuar se në raport me këtë të akuzuar ekzistojnë rrethana që justifikojnë zbutjen e dënimit, ndërsa në të gjitha aspektet e tjera aktgjykimi i Themelores mbetet i pandryshuar.
Apeli ka vlerësuar se pretendimet e mbrojtësve të të akuzuarve dhe të Prokurorisë Speciale lidhur me shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkeljen e ligjit penal dhe vërtetimin e gabuar apo jo të plotë të gjendjes faktike, nuk janë të bazuara.
Kolegji gjykues i Gjykatës së Apelit nuk ka konstatuar asnjë shkelje tjetër procedurale të Gjykatës së shkallës së parë.
Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit, aktgjykimi i Gjykatës Themelores përmban arsye të qarta, të plota dhe të mjaftueshme lidhur me faktet vendimtare të çështjes.
Në vendimin e Apelit thuhet se Gjykata e shkallës së parë ka bërë një analizë të gjithanshme të provave personale dhe materiale të administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor, duke arsyetuar në mënyrë të detajuar vendin, kohën, mënyrën e kryerjes së veprave penale dhe rolin e secilit prej të akuzuarve.
Apeli ka vlerësuar se Themelorja ka dhënë arsyetimin për bazën juridike mbi të cilën është mbështetur vendimmarrja dhe ka vendosur në tërësi për objektin e akuzës.
Lidhur me pretendimet për shkelje të ligjit penal, Gjykata e Apelit ka konstatuar se gjykata e shkallës së parë ka zbatuar drejt dispozitat përkatëse të Kodit Penal dhe se ekzistimi i elementeve të veprave penale është vërtetuar në mënyrë të plotë përmes provave të administruara.
Sipas kolegjit gjykues, nuk ekzistojnë rrethana që do të përjashtonin përgjegjësinë penale apo ndjekjen penale të të akuzuarve Millun Millenkoviq – Llune dhe Aleksandër Vllajiq, andaj shpallja e tyre fajtorë nga Gjykata e shkallës së parë është bërë në përputhje me ligjin dhe me gjendjen faktike të vërtetuar gjatë procedurës.
Ndërsa, në raport me të akuzuarin Dejan Pantiq, Gjykata e Apelit ka vlerësuar se gjykata e shkallës së parë me të drejtë ka arritur në përfundimin se provat e administruara nuk krijonin bazë të mjaftueshme për të dëshmuar se ai kishte ndërmarrë veprime konkrete në realizimin e sulmit me mjete shpërthyese apo se kishte kontribuar drejtpërdrejtë në kryerjen e veprës terroriste.
Sipas Apelit, Gjykata e shkallës së parë, duke respektuar standardin e provueshmërisë përtej dyshimit të arsyeshëm, kishte bërë dallimin ndërmjet pjesëmarrjes në një turmë të dhunshme dhe pjesëmarrjes në kryerjen e një akti terrorist, për çka kishte bërë ricilësimin juridik të veprës penale dhe e kishte shpallur fajtor Dejan Pantiqin për veprën penale të “Pjesëmarrjes në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm”.
Gjykata e Apelit e ka lënë në fuqi pjesën më të madhe të aktgjykimit të Gjykatës Themelore, duke konfirmuar vlerësimin e saj lidhur me përgjegjësinë penale të të akuzuarve dhe bazueshmërinë e provave të administruara.
Vendimi në Gjykatën e Apelit është marrë nga kolegji gjykues i përbërë nga gjyqtarët: Ferit Osmani (kryetar); Albina Shabani-Rama dhe Avni Mehmeti (anëtarë).
Seanca në Gjykatën e Apelit për këtë rast është mbajtur me datë 28.04.2026.
Kujtojmë se, Millun Millenkoviq, i njohur si “Llune” dhe ish-policët Aleksandër Vllajiq, Dejan Pantiq dhe Miomir Vakiq ishin deklaruar të pafajshëm.
Kjo çështje penale në shkallë të parë është gjykuar nga trupi gjykues i përbërë nga: Valon Kurtaj (kryetar) dhe Violeta Namani-Hajra e Arben Hoti (anëtarë).
Aleksandër Vllajiq është dënuar edhe për veprën penale të spiunazhit, në një rast tjetër penal, pasi kishte arritur marrëveshje për pranim të fajësisë.
KALLXO.com kishte siguruar Dosjen e Prokurorisë, në të cilën përshkruhen në detaje veprimet e katër të akuzuarve në ditën kritike, si dhe komunikimet e tyre elektronike.
“Prej sot zyrtarisht unë jam Zëvendëskomandant i Brigadës së Veriut… Nuk ka tani mbrojtje civile, tani ka Brigadë të Veriut” – ishte një prej mesazheve të cilat në Dosje thuhet se i janë nxjerrë nga telefoni i të akuzuarit Millun Millenkoviq.
“Aty shkunden dardhat… ti gjuaj ndonjë mollë.” – ishin mesazhet e këmbyera në mes të Dejan Pantiqit dhe Miomir Vakiqit – sipas Dosjes – duke aluduar për vendndodhjen e Policisë dhe hedhjen e mjeteve shpërthyese.
Aktakuza thotë se katër të akuzuarit sulmin e kanë kryer me dy granata dore dhe dy shok-bomba. Shok-bombat kishin shpërthyer, ndërsa vetëm një granatë dore jo, kështu duke rrezikuar jetën e zyrtarëve të KQZ-së dhe policëve.
Granatat të cilat – sipas Dosjes – i ka marrë i akuzuari “Llune” nga një ambulancë me sinjale alarmuese.
Ambulanca në fjalë thuhet në Dosje të jetë parë vetëm pesë minuta para ngjarjes kritike – duke shkuar me shpejtësi të madhe drejt vendit ku ndodhi sulmi. Kjo pamje është kapur nga kamerat e sigurisë së Prokurorisë së Mitrovicës.
Sipas deklaratës së Millenkoviqit në Prokurori, në ambulancë kanë qenë shokët e tij të cilët ai i kishte përshëndetur, por nuk kishte marrë granata nga ta dhe në vendin e ngjarjes kritike ishte afruar nga kureshtja.
Ndër provat e paraqitura në Aktakuzë figuron edhe një postim i të akuzuarit “Llune” – përmbajtjen e së cilit Prokuroria e ka cilësuar si inkriminuese.
“Nëse më arrestojnë, gjuani në drejtimin tim, gjuani në veturën në të cilën jam edhe unë, çojeni në ajër dhe në rast se duhet edhe mua të më vritni. Vetëm mos i lejoni të më çojnë të gjallë.” – ishte përshkrimi i fotos së postuar nga Millenkoviqi dy javë para sulmit.
Po ashtu, në Dosje thuhet se katër të akuzuarit këto veprime i kanë kryer në bashkëpunim me persona të tjerë, të cilët akoma janë të paidentifikuar.
Fillimisht të akuzuarit kishin thyer dritaret e Zyrave me gurë – duke mundësuar kështu hedhjen e mjeteve shpërthyese brenda në Zyre.
Më tutje, Dosja thotë se ka qenë edhe një përpjekje për ndezjen e një zjarri përmes hedhjes së një mollotovi.
E tërë kjo – sipas Dosjes – thuhet të ketë qenë me qëllim të frikësimit të popullatës dhe shkatërrimit të strukturave politike e kushtetuese të Republikës së Kosovës, përmes pamundësimit të Zgjedhjeve lokale.
Kujtojmë se i akuzuari Millun Millenkoviq është i dyshuar edhe për sulm ndaj KFOR-it dhe Policisë së Kosovës, në trazirat e majit të vitit 2023 në veri të vendit, për çka edhe ishte arrestuar në qershor të atij viti.
Dosja e Prokurorisë përshkruan se Millenkoviqi i kishte rezistuar arrestimit, gjë e cila ka rezultuar me lëndime trupore te policët, si dhe vetë i akuzuari.
I njëjti gjatë deklaratës së dhënë në Prokurori ka mohuar se ka qenë i përfshirë në sulmin ndaj Zyreve të KQZ-së për të cilin po akuzohet.
Njëlloj si “Llune”, edhe Pantiq në Polici ka mohuar përfshirjen në sulmin terrorist që i vihet në barrë.
Kur ishte ballafaquar me mesazhet që i janë gjetur në telefon, Pantiq kishte thënë se “Aty shkunden dardhat” ka implikuar se Policia mund të kenë pasur ftohtë. Ndërsa, shtoi se nuk e di se çfarë ka dashur të thotë i akuzuari Vakiq, me mesazhin “Hidhjani nga një mollë”.
Miomir Vakiq gjatë deklaratës në Polici po ashtu kishte mohuar veprimet inkriminuese, të cilat rëndojnë mbi të.
Në kontekstin e mesazheve telefonike, Vakiq kishte deklaruar se nuk ka pasur qëllime keqdashëse.
Po ashtu, edhe Aleksandër Vllajiq kishte mohuar akuzat. Ai ka mohuar po ashtu edhe të jetë pjesë e Organizatave “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”, të cilat janë shpallur Organizata terroriste nga Qeveria e Reublikës së Kosovës.



































