Gjykimet e sotme për rastin “Transportuesi” dhe “Trajektorja” të PSP, janë anuluar me kërkesë të Prokurorisë Publike dhe të Prokurorisë Speciale.

Në rastin “Transportuesi” i akuzuar është ish-kryetari i Manastirit Vlladimir Talevski dhe 20 persona tjerë.

Ata dyshohen se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare në lidhje me organizimin e transportit të nxënësve në Manastiri, me çka është shkaktuar dëm në buxhetin e shtetit në vlerë prej 360 mijë eurove.

Kurse në rastin “Trajektorja” të akuzuar janë ish-kryeministri Nikolla Gruevski i cili gjykohet në mungesë, ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve Mile Janakieski, ish-zëvendëskryministri Vlladimir Peshevski dhe ish-drejtori i NP “Rrugë shtetërore”, Lupço Georgievski.

Sipas akuzës së PSP-së të akuzuarit në gjysmën e dytë të vitit 2012 dhe gjatë vitit 2013 kanë ndërmarrë shumë veprime me të cilat në procedurën për zgjedhje të kompanisë për ndërtim të autostradës Milladinovc-Shtip dhe Kërçovë-Ohër i kanë shfrytëzuar dhe tejkaluar autorizimet e tyre. Me këtë, sipas PSP-së, atë i kanë shkaktuar dëm buxhetit prej së paku 155 milion euro.

Ndryshe, të premten u anuluan gjykimet edhe për rastet “Titanik”, “Titanik 3” dhe “Tortura”, për shkak të transferimit të lëndëve nga PSP tek Prokuroria Publike./Telegrafi/