LAJMI I FUNDIT:

Reputacioni është një çështje e komplikuar

Reputacioni është një çështje e komplikuar

Nga: Annamaria Testa

“Duhen njëzetë vite për të ndërtuar një reputacion dhe pesë minuta për ta shkatërruar. Nëse mendon këtë, do t’i bësh gjërat ndryshe”.


Ky citim i Warren Buffetit më duket një mënyrë shumë e mirë për të filluar dhe t’ju rrëfyer 2-3 gjëra jo dhe aq të vetëkuptueshme, mbi fenomenin fluid, dinamik, shumëdrejtimësh dhe sot më shumë se kurrë të rëndësishëm, që është reputacioni.

Citimi është interesant, edhe për arsyen se vetë Warren Buffet gëzon një reputacion të shkëlqyer tek shumë njerëz (një sipërmarrës i jashtëzakonshëm; një filantrop i madh!), dhe një reputacion dhe jo aq të mirë tek të tjerë.

Kjo ambivalencë në reputacion na shpie menjëherë në thelbin e çështjes. Nuk mund të flitet kurrë për reputacion në terma absolute, por duhet bërë gjithmonë në lidhje me një grup të caktuar referimi, i cili mund të adoptojë vlera dhe kritere gjykimi (pra mund të shprehë gjykime) që janë edhe në thelb të ndryshme nga ato që mund të shprehin grupe të tjerë.

Thënë ndryshe: tek disa grupe, njerëz të këqij, individë të urryer, tipa të padurueshëm mund të gëzojnë reputacion të shkëlqyer. Nëse kujtojmë vazhdimisht këtë fakt, mund të vazhdojmë të skandalizohemi, por të paktën do të habitemi më.

Fjala reputacion vjen nga latinishtja “reputare”, që nënkupton krasitjen e përsëritur (re-putare) të një bime. Domethënë, një gjykim të përsëritur. Dhe, pikërisht ne quajmë “reputacion” respektin, admirimin dhe meritën që një grup i cakton personit që gjykohet kolektivisht dhe në mënyrë të përsëritur, se është i denjë për t’u vlerësuar.

Në këtë kuptim, reputacioni është pikësëpari një instrument kontrolli social. Shpreh vlerën që një grup i atribuon sjelljeve të dëshirueshme, dhe përbën monedhën me të cilën po ky grup i shkëmben dhe stimulon ato sjellje.

Por, i gjithë mekanizmi i reputacionit funksionon në mënyrë të çuditshme. Reputacioni në fakt atribuohet jo nga grupi që, në kompleksin e vet, shpreh një gjykim formal, por në bazë të mënyrës që secili anëtar i grupit mendon se i gjithë grupi është i prirë të gjykojë. Në një farë mënyre, është një lloj tërësie gjykimesh që janë ngjitëse.

Për këtë arsye, edhe reputacioni më i konsoliduar është në thelb i brishtë, dhe mjafton një thashethemnajë, një dyshim, disa zëra ngjitës për ta dëmtuar: janë ekzaktësisht ato pesë minutat për të cilat flet Buffet.

Vlen gjithashtu të vërehet se, gjithmonë për këto arsye, i gjithë mekanizmi i reputacionit duket se vihet në lëvizje prej sjelljeve imituese (gjithsecili do, në gjykimet e veta, që t’u ngjajë pjesëtarëve të tjerë të grupit): në thelb, reputacioni është edhe një çështje konformizmi social, përveçse kontrolli social.

Dhe, kjo vlen padyshim, edhe atëherë kur një reputacion prej antikonformizmi të atribuohet nga ana e një grupi antikonformistësh.

Por, reputacioni nuk ka të bëjë vetëm me individët: është i çmuar (në fakt flitet edhe për kapital reputacioni) edhe për shtetet, sipërmarrjet, shoqatat.

Kështu, një shtet që gëzon reputacion të mirë eksporton më shumë dhe tërheq më shumë turistë, shfaqet më i besueshëm në nivel ndërkombëtar dhe mund ta ushtrojë më mirë fuqinë e butë, e cila shprehet dhe ka një peshë, pavarësisht fuqisë ekonomike dhe forcës ushtarake.

Një, sipërmarrje që ka reputacion të mirë tërheq më shumë klientë dhe shet më shumë (dhe me çmime më të mira) produktet e veta. Dhe një shoqatë që ka reputacion të mirë tërheq më shumë financime dhe mund të ndjekë më me efikasitet, objektivat e veta.

E kështu me radhë…

Reputacioni ka të bëjë me identitetin dhe me vlerat. Është diçka e ndryshme si nga fama (mund të kesh famë të madhe, por reputacion të keq), ashtu edhe nga simpatia (kënaqësia jo domosdoshmërisht përkon me vlerësimin dhe besimin).

Reputacioni mund t’i paraprijë njohjes së drejtpërdrejtë, dhe mund të orientojë perceptimin. Studime të ndryshme na thonë se për të formuar një përshtypje të parë të detajuar, për një person që sapo e takojmë, na mjaftojnë nga 33 në 100 milisekondë. Domethënë, sa hap e mbyll sytë.

Është një aftësi instiktive, e trashëguar prej paraardhësve tanë që, përballë një pranie të huaj në pyll, duhej që pikërisht sa hap e mbyll sytë, të vendosnin nëse bëhej fjalë për diçka të rrezikshme, e si pasojë, nëse duhej të sulmonin, t’ia mbathnin, të fshiheshin, apo të vazhdonin përpara qetësisht.

Edhe sot, sa hap e mbyll sytë, ne jemi në gjendje të perceptojmë statusin e një të panjohuri, shkallën e besueshmërisë apo agresivitetit, faktin nëse na duket tërheqës, apo kompetent. Megjithatë, nëse të panjohurit i paraprin reputacioni, ne ndikohemi jo pak. Dhe do ta shohim në dritën e gjykimit që grupi ynë i referimit ka shprehur.

Në thelb, reputacioni është një shprehje e prekshme si e ekzistencës së fijeve që lidhin gjithësecilin prej nesh në brendësi të një komuniteti, ashtu edhe faktit që çdo komunitet ndjen nevojën për të ndarë gjykime, duke filluar nga ata me të cilët njeh pjesëtarët e vet më të njohur.

Mund ta them: e konsideroj të neveritshëm tezën sipas të cilës reputacioni është bërë një gjë e rëndësishme, vetëm për shkak të internetit dhe rrjeteve sociale. Dhe, jam tejet e bindur që edhe një perandor romak, apo një mjek kinez në epokën Tang, kishin shumë punë për të bërë, që të fitonin dhe ruanin një reputacion të mirë.

Madje interneti – që dhuron dukshmëri para komuniteteve më të mëdha edhe për shumë njerëz, që përndryshe do të kishin mbetur të padukshëm – i rrit dhe zgjeron problemet, risqet dhe shanset e lidhura me reputacionin.

Dhe, në këtë pikë, qoftë për faktin se tema në vetvete nuk është e kohëve të fundit, qoftë sepse bëhet fjalë për një këshillë shumë të mirë, më duket se mënyra më e mirë për të përmbyllur është ai citim i Sokratit: “Mënyra për të ruajtur një reputacion të mirë, është që të veprosh dhe të jesh ashtu siç dëshiron që të dukesh”. /Burimi: internazionale.it/Në shqip: bota.al/