LAJMI I FUNDIT:

“Anima” – kolana më e re e Shtëpisë Botuese “Dukagjini”

“Anima” – kolana më e re e Shtëpisë Botuese “Dukagjini”

Shtëpia Botuese “Dukagjini” ka nisur kolanën më të re të veprave letrare, të quajtur “Anima”. Pas dy kolanave të mëhershme – me libra eseistikë, filozofikë, historikë, nga letërsia shqipe etj. – kolana e re është ekskurs nëpër autorët dhe veprat më të njohura të letërsisë botërore.

Me një koncept editorial të menduar mirë, me përzgjedhjen e autorëve dhe përkthyesve, e po ashtu me kujdesin e veçantë të redaksisë së “Dukagjinit”, kolana synon qendërzimin e vëmendjes së lexuesit në letërsinë e mirëfilltë botërore.


Kolana nis me librin Sonata e Krojcerit të Lev Tolstoyit, të përkthyer nga shkrimtari dhe studiuesi Agron Tufa. Ky libër i autorit klasik rus trajton një ndër çështjet më fondamentale shoqërore – atë të martesës, të problemeve që e shoqërojnë, si dhe luhatjen e individit mes dashurisë, xhelozisë e urrejtjes. Novela shoqërohet me një parathënie që shpjegon ambientin kontekstual në të cilën u ngjiz vepra, ndërsa pasthënia – e shkruar nga vetë Tolstoi – përveç rrethanave të krijimit të novelës i shpërfaq idetë, ende  aktuale të autorit, rreth problemeve shoqërore që prekin dhe ndikojnë institucionin e martesës.

Libri i dytë i kolanës është romani Zhdukja e mistershme e markezes së re De Loria i shkrimtarit Jose Donoso. Donoso, si pjesë e bumit të letërsisë latino-amerikane, është pothuajse i panjohur për publikun shqiptar të cilit i prezantohet këtë radhë me një libër që, përveçse trajton dëshirat më intime të qenies njerëzore, e lartëson erotikën në nivelin artistik. I përkthyer nga Bajram Karabolli, libri është ftesë jo vetëm për një shkrimtar të rëndësishëm (fatkeqësisht të panjohur për lexuesin shqiptar), por edhe për thellimin e tij në kulturën latino-amerikane.

Ledi Makbeth nga guberna e Mcenskut i Nikolai Leskovit trajton “dashurinë fatale” dhe fundin tragjik të heroinës së kësaj novele. Nisur prej titullit, trajtimit të personazheve dhe fundit tragjik, novela krijon lidhje intertekstuale me veprën e Shekspirit. Leskovi – i konsideruar si një ndër autorët më të vështirë për t’u përkthyer për shkak të një gjuhe idiomatike – i vjen lexuesit shqiptar, për herë të parë, me një përkthim të mrekullueshëm nga Agron Tufa.

Mjegull nga Miguel de Unamuno është ndër librat më të mirë të këtij autori që solli ndryshime të mëdha në letërsinë botërore – qoftë për nga trajtimi tematik, qoftë për nga risitë narratologjike. Personazhi i Unamunos gjendet gjithnjë në zgrip, duke u luhatur mes ëndrrës dhe zhgjëndrrës, mes reales dhe irreales, të vërtetës dhe të pavërtetës etj. Përmes këtij rrëfimi autori trajton problemin më të madh të qenies njerëzore: dyshimin në ekzistencën e vet. Mendoj, prandaj jam apo jam, prandaj mendoj … fraza dekartiane bëhet lajtmotiv i këtij romani që përveç lojës narratologjike dhe diskursit filozofik, shoqërohet fund e krye me një sentimentalizëm që rrjedh nga naiviteti i personazhit kryesor, Augusto Perezit. Libri është përkthyer nga Orjela Stafasani.

Kolana “Anima” është ftesë jo për një tip lexuesi, në veçanti, por për lexuesin në përgjithësi – për atë që tërhiqet nga e bukura, duke na kujtuar se është gjithnjë koha e duhur për t’u kthyer kah arti dhe kah vlerat e vërteta letrare. /Telegrafi/