Anibar Lanson “Anibar Pro - Genesis”, gjenerata e re e animatorëve ngjitet në skenë
Në edicionin e 16-të të Festivalit Ndërkombëtar të Animacionit, Anibar ka lansuar për herë të parë një program dedikuar fuqizimit të talenteve të rinj në fushën e animacionit, “Anibar Pro - Genesis".
Kjo nismë franko-kosovare, e themeluar në bashkëpunim me Institutin Francez në Kosovë dhe e mbështetur nga Ministria Franceze për Evropën dhe Punët e Jashtme si dhe Ambasada Franceze në Kosovë, synon të vendosë themele të qëndrueshme për të rinjtë që duan të zhvillohen në animacion, multimedia dhe industrinë e lojërave.
Anibar Pro - Genesis është një dritare të re për krijuesit e rinj, që ua mundëson atyre të zhvillohen përmes trajnimeve në ndërmarrësi, art dhe përmes shkëmbimeve ndërkombëtare.
Programi u prezantua të marten me 15 korrik, në ditën e dytë të festivalit në Pejë, në një atmosferë energjike dhe frymëzuese.
Rreth 20 studio franceze dhe evropiane po qëndrojnë këtë javë në Pejë për të zhvilluar takime me profesionistë të rinj të animacionit përmes Genesis Pitching Sessions, biseda rreth mentorimit,
etikes në rrëfime dhe qëndrueshmërisë në industri si dhe takimeve me producentë dhe përfaqësues të festivaleve të njohura ndërkombëtare.
Gjatë ditëve në vijim, 18 animatorë të rinj pritet të prezantojnë projektet e tyre filmike, ku fituesit do të përzgjidhen nga një juri profesioniste me përvojë të gjatë në industrinë e filmit dhe animacionit.
Në fjalimin e tij gjatë hapjes së programit, Ambasadori Francez në Kosovë, z. Olivier Guérot, theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi: “Kjo nuk është thjesht mbështetje për hir të mbështetjes, sepse ashtu siç e dimë, filmi është vetë kultura. Dhe është me rëndësi sepse të rinjtë mund të krijojnë kontakte me profesionistë të fushës. Gjithashtu flasim për identitet dhe është e rëndësishme të rritet e zhvillohet, ky identitet në këtë shtet të ri".
Ai po ashtu theksoi se Franca po e zgjeron prezencën e saj në Kosovë e rajon duke u fokusuar në art edhe kulturë e do të vijojë të mbështesë të rinjtë për ta rritur e konkretizuar kreativitetin e tyre.
Ndërsa Vullnet Sanaja, Drejtor Ekzekutiv i Anibar, u shpreh se ky bashkëpunim përfaqëson një arritje të madhe për festivalin dhe për të gjithë komunitetin krijues.
Anibar Pro - Genesis po ashtu përforcon punën disa vjeçare të bërë nga Akademia e Animacionit në Prishtinë, duke krijuar më shumë mundësi për të apasionuarit pas animacionit dhe për zhvillimin e një industrie kreative të fuqishme në vend.












































