LAJMI I FUNDIT:

Anëtarësimi i mundshëm i Kosovës në NATO dhe BE – shtohen kërkesat nga miqtë ndërkombëtarë

Anëtarësimi i mundshëm i Kosovës në NATO dhe BE – shtohen kërkesat nga miqtë ndërkombëtarë

Rusia mund të përjashtohet përfundimisht nga Këshilli i Evropës, kjo për shkak të sulmeve të pandalshme tash e tri javë ndaj Ukrainës.

E një momentum të tillë, shumë zyrtarë ndërkombëtarë kanë bërë thirrje që ta shfrytëzoj Kosova për aplikim në këtë organizatë, në BE e gjithashtu edhe në NATO. Përkrahje për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, ka paralajmëruar Gjermania.

I dërguari special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka folur lidhur me mundësinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, duke shtuar se Gjermania e ka njohur Kosovën dhe është e vetëkuptueshme që jemi në favor që shteti që ne njohim të përfaqësohet në organizatat ndërkombëtare, shkruan Telegrafi.

Emisari gjerman: Gjermania do ta përkrahte anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës
Lexo po ashtu Emisari gjerman: Gjermania do ta përkrahte anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

Ai shtoi se i takon Prishtinës të shqyrtojë nëse është koha e duhur për të aplikuar. Për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës nevojitet të ketë një shumicë prej dy të tretash që do të votonin për.

Shenja pozitive për anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës dha edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon.

“Mendoj se kjo është një mundësi e mirë për të dëshmuar dhe treguar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet kryesore për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës. Meqenëse një prej kundërshtueseve (Rusia) më të mëdha të këtij anëtarësimi është pezulluar, mendoj se do mund të gjenim shumicën për aplikimin e Kosovës” , tha ajo gjatë vizitës së fundit në Kosovë.

Fushatë të vazhdueshme që Kosova të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare është duke bërë edhe kongresisti amerikan Ritchie Torres.

Së fundmi ai u ka dërguar letra ambasadorëve të pesë vendeve të BE-së që ta njohin Kosovën si shtet i pavarur.

Kongresisti amerikan u shkruan pesë vendeve të BE-së: Njiheni pavarësinë e Kosovës
Lexo po ashtu Kongresisti amerikan u shkruan pesë vendeve të BE-së: Njiheni pavarësinë e Kosovës

“Kosova ka qenë e pavarur për 14 vjet, por ka disa vende të BE-së që nuk e njohin këtë. Unë i bëj thirrje Qipros, Greqisë, Rumanisë, Sllovakisë dhe Spanjës që të rishqyrtojnë pozicionin e tyre dhe ta njohin Kosovën si një komb të pavarur në mënyrë që Kosova të ketë një rrugë për të hyrë në BE”, ka shkruar Torres, në një postim në Twitter.

Torres ditë më parë kishte shkruar gjithashtu në Twitter se Kosova meriton të anëtarësohet edhe në Aleancën Veriatlantike (NATO).

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve të Ballkanit Perëndimor, Janusz Bugajski, tha se është koha e duhur që Kosova të bëhet pjesë e NATO-s dhe BE-së.

“Është momenti i duhur për anëtarësim të Kosovës në NATO, në Bashkimin Evropian, në Këshillin e Evropës, në cilindo institucion që mund ta forcojë sigurinë e Kosovës. Konsideroj që është koha për të njohur Kosovën”, ka thënë Bugajski, shkruan Telegrafi.

Bugajski: Koha që Kosova të anëtarësohet në institucionet euroatlantike
Lexo po ashtu Bugajski: Koha që Kosova të anëtarësohet në institucionet euroatlantike

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një intervistë dhënë për AFP ka thënë se Bashkimi Evropian dhe NATO, do të duhej ta bënin më të lehtë dhe më të shpejtë anëtarësimin e Kosovës por edhe vendeve tjera kandidate në këto organizata.

“Në këtë situatë të jashtëzakonshme nuk mund të sillemi normalisht. Prandaj, edhe anëtarësimi në BE dhe në NATO nuk mund të bëhen në mënyrat e vjetra. Është e domosdoshme që Brukseli, si kryeqyteti i NATO-s dhe i BE-së, të rimendojë një mënyrë të re zgjerimi në Ballkanin Perëndimor”, shtoi ai.

Kujtojmë se së fundi Qeveria e Kosovës ka themeluar Grupin punues ndërinstitucional për integrimin e Kosovës në Aleancën Veri-Atlantike, NATO. /Telegrafi/