LAJMI I FUNDIT:

Analistët: Vuçiq dikur mund t’i digjte dhe mbyllte mediet në Kosovë, tani vetëm mund t’i akuzojë

Analistët: Vuçiq dikur mund t’i digjte dhe mbyllte mediet në Kosovë, tani vetëm mund t’i akuzojë
Foto: Ilustrim

Deklarata e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq gjatë takimit me përfaqësuesit e Listës Serbe dhe kryetarët e komunave me shumicë serbe në Kosovë po konsiderohen si rezultat i frikës së këtij të fundit nga e vërteta dhe përpjekjet e tij për të mohuar raportet Kosovë – Serbi, si dy shtete të pavarura.

Njohës të çështjeve politike thonë se deklaratat e Vuçiqit kur ka thënë se nuk i lexon mediat në Kosovë, janë dëshmi se ai vuan nga mendësia totalitariste.


Profesori universitar në Departamentin e Gazetarisë, Arben Fetoshi thotë për KosovaPress se kjo mendësi e Vuçiqit lidhet me Rusinë dhe vendet tjera jo të lira që medien e shohin si armë për betejat e tyre politike.

Ai përmend faktin se edhe raportet ndërkombëtare e kanë konfirmuar gjendjen e keqe të medieve në Serbi për shkak të ndikimit të politikës.

“Duke pas parasysh të kaluarën e tij besoj Aleksandar Vuçiq, vuan prej mendësisë totalitariste që lidhet me trashëgiminë lindore të konceptit për mediet, sepse e njëjta gjë ndodh ta zëmë edhe me Rusinë edhe me një pjesë të vendeve jo të lira satelite të Rusisë, dhe që ka të bëjë me konceptin e shikimit të medias si armë për betejat e tyre politike, dhe në këtë rast mendoj që edhe raportet ndërkombëtare e kanë konfirmuar disa herë gjendjen e medieve në Serbi. Besoj që liria e medies duke qenë një situatë jashtëzakonisht të keqe në Serbi është e lidhur drejtpërdrejtë me angazhimin dhe qëndrimet e Vuçiqit në raport me mediet. Natyrisht ai e ka edhe për detyrë të merret me medien, por jo të merret me medien në kuptim të lirisë së medies si indikator kyç për zhvillimin e demokracisë në një vend të caktuar, por të merret me mediet si instrument i interesave të tij politike, siç ka bërë në Serbi”, tha ai.

Fetoshi po ashtu tha se deklarimet e presidentit serb për mediet në Kosovë tregojnë frikën nga e vërteta që ai ka dhe përpjekjet e tij për ta mohuar të vërtetën për raportet, Kosovë-Serbi si dy vende të pavarura.

“Natyrisht, ai manifeston frikën nga e vërteta dhe është përpjekja e tij për ta mohuar të vërtetën që ka të bëjë me raportet mes Kosovës dhe Serbisë si dy vende të pavarura. Dhe, në këtë kuadër, sulmi më brutal që ai në vazhdimësi ka bërë politikisht lidhet me mediet për shkak të ndikimit që ka medie në informimin e opinionit publik dhe transmetimit të vërtetës e në këtë rast transmetimi i të vërtetës edhe ajo që ndodhi me grafitet në veri, edhe me të vërtetën e madhe për Republikën e Kosovës i dhemb. Në këtë kuptim duhet parë sulmin brutal ndaj medies ashtu siç është mësuar në Serbi që ai të ketë në kontroll shumicën dërmuese të medieve dhe për fat të keq edhe raportet ndërkombëtare, e thonë që liria e medies në Serbi është jashtëzakonisht e keqe. Pra, kemi të bëjmë me një situatë që lidhet drejtpërdrejt me angazhimin e Vuçiqit sa i përket lirisë së medias sepse liria e medies për të është frika më e madhe”, theksoi profesor Fetoshi.

Ndërsa gazetari Albert Spahiu thotë se armiqësia e presidentit serb për medien shqiptare ka mbetur që nga koha e luftës në Kosovë.

Sipas tij, dallimi tani është se Vuçiq atëkohë kur ishte edhe ministër për Informim mund t’i digjte dhe t’i mbyllte mediet në Kosovë siç bëri me shtypshkronjën e gazetës “Kosova Sot”, ndërsa tani vetëm mund të hedh akuza.

“Presidenti serb Aleksandar Vuçiqit, sipas meje, i pëlqejnë vetëm mediat që e lavdërojnë. Ai në forma të ndryshme, në Serbi ka arritur që ta ketë nën kontroll fjalën publike. Mirëpo, kur bëhet fjalë për mediet që nuk i kontrollon, ai atëherë është një urrejtës patologjik i tyre. Shpeshherë i zë në gojë mediet shqiptare, ato kroate, etj. Dhe, kjo nuk është e re. Pra, është e vjetër sa karriera publike e Vuçiqit, kur ishte vet njëfarë gazetari gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë. Në vitet e luftës në Kosovë ai ka qenë ministër i ashtuquajtur i Informimit në pushtetin e regjimit të Sllobodan Millosheviqit, si pjesë e partisë së Vojsllav Sheshelit atëherë… Unë e kam gjetur një artikull të gazetës ‘Kosova Sot’, të datës 13 mars 1999, pak ditë para fillimit te bombardimeve, kur Vuçiqi në Prishtinë, kishte shprehur mllefin me gazetën në fjalë”, ka thënë Spahiu.

Sipas tij, armiqësia me mediet shqiptare ka mbetur e njëjtë me atë të vitit 1999.

“Në fakt, në më pak se dy javë nga koha kur ishte ai në Prishtinë, më 24 mars 1999, sapo filluan bombardimet e NATO-s, shtypshkronja e gazetës të cilën e mbylli Vuçiq, u dogj.  Edhe për grafitet e ashtuquajturës ‘Severna Brigada’ në komunat veriore të Kosovës, në konferencën për shtyp, Vuçiqi nuk fliste në pyetjen e gazetares për grafitet, por akuzonte se po flet diçka që e kanë publikuar mediet shqiptare. Si duket armiqësia e tij me mediat shqiptare ka mbetur e njëjtë me atë të vitit 1999. Por në atë kohë, ai kishte mundësi që t’i mbyllte dhe t’i digjte, kurse tani mundësinë e vetme që e ka është akuza, pra përmendja e medieve shqiptare në kontekst negative”, thotë Spahiu.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq gjatë fjalimit të tij para medieve pas takimit që zhvilloi me përfaqësues nga komunat veriore në Kosovë ka folur për mediet shqiptare kur u pyet nga gazetarët për grafitet e “Brigadave të Veriut”, të cilat ishin vendosur në rrugët e Mitrovicës veriore mbishkrimet “S’ka dorëzim!”, “Mos u shqetësoni, ne jemi këtu – Brigada e Veriut”.

Vuçiq lidhur me këto mbishkrime të publikuara në medie tha se nuk i lexon mediet e Kosovës, ndonëse e ka për detyrë.

“Edhe pse nuk e kam lexuar medien shqiptare, edhe pse e kam detyrë të lexoj medien shqiptare”, ishte shprehur Vuçiq.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq në vitin 1999 ka qenë ministër për Informim në kabinetin e kasapit të Ballkanit, Millosheviq. /KP/Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Serwer tregon se pse Serbia i frikësohet anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës

Serwer tregon se pse Serbia i frikësohet anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës

Lajme
Von Cramon: Nëse Kosova e Serbia përfitojnë më shumë nga moszbatimi i marrëveshjeve, vështirë të bëhet diçka në Bruksel

Von Cramon: Nëse Kosova e Serbia përfitojnë më shumë nga moszbatimi i marrëveshjeve, vështirë të bëhet diçka në Bruksel

Lajme
Arrestimet e qytetarëve të Kosovës në kufi, analistët në Beograd: Serbia ka prekur fundin moral e politik

Arrestimet e qytetarëve të Kosovës në kufi, analistët në Beograd: Serbia ka prekur fundin moral e politik

Lajme
Një muaj paraburgim për shqiptarin nga Kosova të arrestuar në Serbi

Një muaj paraburgim për shqiptarin nga Kosova të arrestuar në Serbi

Drejtësi
Kosovari i arrestuar në kufi, Serbia pretendon se ishte pjesë e luftës, mohon OVL-UÇK

Kosovari i arrestuar në kufi, Serbia pretendon se ishte pjesë e luftës, mohon OVL-UÇK

Siguri
“Të ngrehi zhag”, deklarata e bashkëshortes së Riza Muratit, e cila e ka denoncuar kapitenin e policisë për dhunë

“Të ngrehi zhag”, deklarata e bashkëshortes së Riza Muratit, e cila e ka denoncuar kapitenin e policisë për dhunë

Drejtësi
Kalo në kategori