Në emisionin “Debat Plus” Me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini janë diskutuar zhvillimet e fundit në Kuvendin e Kosovës dhe moskalimi i rezolutës së LDK-së.

Jeta Krasniqi nga KDI ka thënë se shumësia e rezolutave të propozuara në Kuvendin e Kosovës për bisedimet me Serbinë, tregon mungesën e unitetit të klasës politike në raport me dialogun.

Ajo ka thënë se pika kontestuese e rezolutës së opozitës ishte përmendja e emrit të presidentit Hashim Thaçi.

“Shumësia e rezolutave vë në pah dallimet drastike mes pozitës dhe opozitës sa i përket dialogut me Serbinë…Ajo çfarë kemi parë është se opozita dëshiron rezolutë me një pikë ku duhej të ndalet diskutimi i ndryshimit të kufijve të Kosovës, ndërsa pozita do të fusë në rezolutë edhe pika tjera”, deklaroi Krasniqi.

Analisti Arton Demhasaj thotë se në të kaluarën deputetët janë sjellë edhe nga spitali për të votuar, por ajo çfarë pamë dje është një joseriozitet i opozitës për të kaluar rezolutën pasi munguan shumë deputetë të saj për arsye jo të forta.

“Në rastin e rezolutës së djeshme, shihet se një numër i deputetëve të opozitës nuk ishin të pranishëm në Kuvend, duke shkuar në udhëtime të ndryshme, duke treguar një ndjenjë të joseriozitetit…Nga kjo krijohet përshtypja që edhe qëllimi i opozitës ishte që rezoluta të mos kaloj, pasi ndryshe do të shtynin rezolutën dhe ta hidhnin në votim kur deputetët ishin në Kosovë”.

Analisti tjetër Imer Mushkolaj thotë se është e dukshme se opozita është treguar joserioze, dhe askush nga opozita nuk mund të na mbush mënden se e kanë seriozisht kalimin e rezolutës.

“Kur po hidhej në votim rezoluta, të jenë të pranishëm 50 nga 57 deputetët sa i ka opozita, kjo përnjëmend është joserioze”.

Ndërsa analisti Arben Ahmeti ka thënë se padyshim se mospjesëmarrja e Albin Kurtit në votim është e pakuptimtë, por sipas tij është kontrovers edhe qëndrimi i partive të koalicionit qeverisës.

“Qëndrimi i partive të PAN është i falsitet. Të tre liderët e këtyre partive janë shprehur kundër ndryshimit të kufijve dhe kundër idesë së korrektimit të kufijve. Tash subjektet e tyre nuk votojnë një rezolutë kundër ndryshimit të kufijve”, deklaroi Ahmeti./Telegrafi/