Amorim paralajmëron Liverpoolin: Mund të fitojmë ndaj kujtdo

Trajneri i Manchester United, Ruben Amorim, ka kërkuar nga skuadra e tij të ndërtojë mbi fitoren e fundit ndaj Sunderlandit dhe të tregojë përmirësimin e bërë në përballjen e madhe të Ligës Premier kundër Liverpoolit, që zhvillohet të dielën në “Anfield”.
Duke folur në konferencën për shtyp në “Carrington”, Amorim theksoi rëndësinë e takimit të 100-të mes dy rivalëve historikë, duke u bërë thirrje lojtarëve të tregojnë se mund të konkurrojnë me skuadrat më të forta.
“Në atë barazim në Anfield treguam se mund të përballemi me çdo kundërshtar. Por tani duhet të jemi më të mirë në të dyja zonat, për të shënuar dhe për të mbrojtur, nëse duam të fitojmë”.

Amorim pranoi presionin që sjell një ndeshje e tillë dhe tradita e pasur e rivalitetit mes dy klubeve më të mëdha angleze.
“Ndonjëherë një klub fiton gjithçka, ndërsa tjetri kalon momente të vështira. Kështu ka qenë gjithmonë mes nesh dhe Liverpoolit”.
Për Amorimin, fokusi është te sfida e radhës, jo krahasimet historike.
“Qëllimi ynë është të provojmë në çdo ndeshje se jemi duke u rritur dhe se mund të fitojmë ndaj kujtdo”.
Përballja mes dy rivalëve të urryer zhvillohet të dielën me fillim nga ora 17:30./Telegrafi/




































