LAJMI I FUNDIT:

Amerikanët nuk po i gjejnë 1 miliard euro për “Kosovën e Re”

Amerikanët nuk po i gjejnë 1 miliard euro për “Kosovën e Re”

Kompania amerikane “Contour Global” nuk po mund t’i siguroi 1 miliard euro për ndërtimin e Termocentralit Kosova e Re. Gazeta Fjala, ka mësuar se asnjë investitor i mundshëm nuk po dëshiron t’i investoi paratë në Kosovë për të zhvilluar këtë projekt.

Bisedimet me Qeverinë e Kosovës dhe financuesve potencial ende po vazhdojnë, por në të njëjtën kohë po diskutohet seriozisht për financimin e kapaciteteve të reja energjetike deri në 500 megavat nga buxheti i shtetit.


“Janë duke u zhvilluar bisedime me investitorë të ndryshëm, por është proces shumë i vështirë ngase ata nuk dëshirojnë të investojnë në këtë projekt për shkak të rrezikut të investimit”, ka thënë një zyrtar i lartë i afërt me procesin e negociatave për Kosovën e Re.

Përveç kësaj është edhe plani tjetër rezervë që përfshinë investimin e qindra miliona eurove për rehabilitimin e blloqeve ekzistuese të Termocentralit më të vjetër në Evropë, “Kosova A” në periudhë dhjetë vjeçare që të arrihet prodhimi i 600 megavat energji, po ashtu me investime nga taksat e qytetarëve.
MZHE: Nuk kemi pasur sinjal që kundërshtojnë financimin e projektit

Në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik thonë se Qeveria ende është duke negociuar me investitorin marrëveshjet komerciale të cilat do të jenë bazë mbi të cilat do të negociohet lidhur me ngritjen e financimit të projektit Kosova e Re. Sipas tyre nuk ka ndonjë kundërshtim për financim dhe gjithçka po ecën mbarë, derisa bëjnë me dije se procesi i ngritjes së financimit të Projektit “Kosova e Re” nuk ka filluar ende.

“Siç jeni të informuar pas konkludimit të marrëveshjeve komerciale në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Investitorit do të pasojë procesi i kontraktimit të kompanisë për Ndërtim, Inxhiniering, dhe Prokurim apo (EPC), një ndër kriteret e përzgjedhjes së Ndërtuesit do të jetë edhe mundësia e ngritjes së financimit nga Export Credit Agency (Agjencione të Kreditimit të Eksportit), deri më tani në të gjitha diskutimet me EPC, si dhe me Institucione Financiare Ndërkombëtare siç është Banka Botërore, Korporata Ndërkombëtare Financiare, nuk kemi pasur sinjal që kundërshtojnë financimin e projektit, por përkundrazi kemi gjetur një interes të qëndrueshëm dhe të vazhdueshëm në financimin e projektit”, thonë në divizionin për komunikim me publikun të kësaj ministrie.

Gazeta Fjala ka raportuar më parë se Banka Botërore ka kohë që nuk e përkrah kompaninë e vetme në garë me të cilën Qeveria e Kosovës pati vendosur të lidhë kontratë për Kosovën e Re, për shkak të monopolit në pronësinë e këtij termocentrali dhe mirëmbajtjen e tij.

Kështu burime të gazetës kanë thënë se financuesit e mundshëm ndërkombëtarë të projektit po largohen pasi askush nuk do të marr përsipër sigurimin e investimeve të tyre në ngritjen e kapaciteteve të reja energjetike.
FMN: Kundër ndërtimit të Kosovës së Re me para të buxhetit

Në MZHE mohojnë mundësinë e financimit të “Kosovës së Re” me para të buxhetit të shtetit. “E kemi thënë dhe më parë që ky projekt do të financohet nga investitori Contour Global dhe nuk është paraparë asnjë lloj financimi nga Buxheti i Republikës së Kosovës. Andaj, e gjithë energjia e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Komitetit Drejtues të Projektit është që të kemi përmbyllje financiare të suksesshme dhe të fillojë ndërtimi i Termocentralit Kosova e Re dhe nuk kemi asnjë arsye të shqyrtojmë alternativa të tjera të financimit”.

Ngarkimi I buxhetit me këtë projekt nuk ka marrë as pëlqimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Shefi i misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Kosovën, Jacques Miniane ka thënë se rritja e shpenzimeve për projekte të reja kapitale që kanë kosto të lartë nuk po pranohet nga FMN. “Në këtë situatë do të ishte e pamundur për shkak të limiteve të buxhetit. Them se diçka e tillë është e pamundur në dy tri vitet e ardhshme”, ka thënë Miniane. /Gazeta Fjala/Telegrafi/