LAJMI I FUNDIT:

Ambasadorja kroate: Jemi zëri juaj më i fuqishëm në Bruksel

Ambasadorja kroate: Jemi zëri juaj më i fuqishëm në Bruksel

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (MFSK), Haki Demolli i shoqëruar edhe nga shefi i Inspektoratit të FSK-së, gjeneral brigade Bashkim Jashari, priti sot në takim zyrtar një delegacion të Ministrisë së Mbrojtjes të Kroacisë, kryesuar nga gjeneral brigade Blazh Beretin, zëvendësshef i Inspektoratit të Mbrojtjes me bashkëpunëtorë dhe në shoqërim të ambasadores kroate në Prishtinë, Marija Kapitanovic.

Me këtë rast, ministri Demolli theksoi rëndësinë e bashkëpunimit dypalësh dhe miqësor në mes Ministrisë së Mbrojtjes të Kroacisë dhe Ministrisë së Forcës  së Sigurisë së Kosovës, si dhe bashkëpunimin me Ambasadën e Republikës së Kroacisë në Prishtinë.


Demolli gjithashtu theksoi se bashkëpunimi dypalësh me Kroacinë në fushën e sigurisë ka qenë jashtëzakonisht produktiv, dhe se shteti kroat dhe Ministria e Mbrojtjes së Kroacisë kanë dëshmuar se mbështesin plotësisht përpjekjet e shtetit të Kosovës për konsolidimin dhe avancimin e institucioneve të sigurisë të vendit tonë.

Ministri e falënderoi ambasadoren Kapitanovic dhe gjeneralin Beretin për vizitën dhe gatishmërinë e tyre për shkëmbim përvojash në fushën e inspektoratit, si dhe për mbështetjen që vendi i tyre ka ofruar në vazhdimësi për FSK-në dhe angazhimet tona rajonale dhe ndërkombëtare.

Ndërkaq, e saj, ambasadorja e Kroacisë, Kapitanovic tha se shteti i Kroacisë  dhe shteti i Kosovës po zhvillojnë dhe ndërtojnë marrëdhënie të shkëlqyera dhe se marrëdhëniet më intensive i ka pikërisht në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë.

Ambasadorja tha gjithashtu se vendi i saj ka kaluar nëpër të njëjtat vështirësi dhe situata, si dhe ka kaluar të njëjtën përvojë dhe për këtë Kapitanovic tha se vendi i saj është angazhuar dhe do të angazhohet që shteti i Kosovës të mos ketë pengesa të natyrës që Kroacia i ka kaluar më parë.

Ambasadorja Kapitanovic në fund tha se Kroacia ofron përkrahje të vazhdueshme si rreth anëtarësimit në NATO, ashtu edhe integrimit në Bashkimin Evropian. “Jemi zëri juaj më i fuqishëm në Bruksel”, citohet të ketë thënë ambasadorja kroate.

Delegacioni kroat, sot gjatë ditës në vazhdim do të ketë takime me Inspektoratin e FSK-së si dhe do të vizitojë Komandën e Forcave Tokësore të FSK-së dhe Qendrën për Studime Universitare të FSK-së, ku do të pritet nga stafi komandues i njësive. /Telegrafi/