LAJMI I FUNDIT:

Ambasadori gjerman: Sulmi i djeshëm ndaj zyrave zgjedhore komunale është i papranueshëm

Ambasadori gjerman: Sulmi i djeshëm ndaj zyrave zgjedhore komunale është i papranueshëm

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka reaguar pas incidenteve që ndodhën të martën në veri të vendit, ku persona të maskuar dëmtuan zyrat e komisioneve komunale zgjedhore në atë pjesë.

Rohde ka thënë se sulmi i djeshëm është i papranueshëm, ndërsa ka shtuar se mbështetë protestat paqësore.


Tutje, ai ka theksuar se do të ketë zero tolerancë ndaj dhunës.

“Vërtet shumë shqetësuese. Dhuna e djeshme ndaj zyrave zgjedhore komunale është e papranueshme. Mirë që Policia e Kosovës në koordinim me EULEX-in dhe KFOR-in është prezente. Mbështetje e plotë për demonstratat paqësore, por zero tolerancë ndaj dhunës”, ka shkruar ambasadori Rohde në Twitter.

Policia e Kosovës ka konfirmuar të martën se janë regjistruar disa incidente në disa zona të Zubin Potok-ut dhe Mitrovicës së Veriut, por nuk është raportuar për të lënduar.

Në sqarimin e policisë thuhet se dyshohet për shkrepje armësh e shpërthimesh dhe gjithashtu bëhet e ditur se protestuesit kanë demoluar zyrat e komisionit komunal zgjedhor.

Sipas komunikatës për media, këto incidente kanë ndodhur pasi njësitë policore të rendit publik kanë shoqëruar zyrtarët e Komisionit Komunal zgjedhor në zyrat e komisionit komunal zgjedhor, të cilat ndodhen në komunat Zubin Potok e Mitrovicë Veri me qellim të  kryerjes së detyrave dhe kompetencave të tyre ligjore. /Telegrafi/