Abbott: Shumica e shqiptarëve në MB jetojnë normalisht, por ekziston edhe realiteti i krimit të organizuar

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Nicholas Abbott, ka reaguar lidhur me debatet për emigrantët shqiptarë në Britani, duke theksuar nevojën për kujdes në interpretimin e statistikave dhe shmangien e përgjithësimeve.
Në një intervistë për Euronews Albania, Abbott u shpreh se shumica dërrmuese e shqiptarëve në Mbretërinë e Bashkuar jetojnë normalisht, punojnë dhe kontribuojnë në ekonomi, duke ngritur familje dhe duke qenë pjesë e shoqërisë britanike.
Megjithatë, ai pranoi se ekziston edhe një realitet tjetër, të cilin, sipas tij, autoritetet nuk mund ta injorojnë.
“Shtetasit shqiptarë janë grupi më i madh i të huajve të dënuar në burgjet e Mbretërisë së Bashkuar. Ky është një fakt që nuk mund të shpërfillet,” deklaroi Abbott, duke shtuar se kjo nuk duhet të përdoret për të demonizuar një komunitet të tërë.
Diplomati britanik theksoi se krimi i organizuar në Evropë nuk lidhet me një kombësi të vetme, por me grupe të ndryshme kriminale që veprojnë në vende të ndryshme.
Ai përmendi se grupet kriminale shqiptare janë të përfshira në trafikun e drogës, përfshirë kokainën dhe kanabisin, në Mbretërinë e Bashkuar dhe vende të tjera evropiane, por nënvizoi se edhe grupe të tjera nga shtete të ndryshme janë aktive në këtë fushë.
“Askush nuk po thotë se pas kriminalitetit qëndron një kombësi e vetme. Por ekziston një realitet që duhet adresuar përmes bashkëpunimit ndërkombëtar,” u shpreh Abbott.
Ai shtoi se lufta kundër krimit të organizuar nuk ka një zgjidhje të menjëhershme, por kërkon menaxhim të vazhdueshëm të rreziqeve për shoqëritë.
Abbott gjithashtu vlerësoi rolin e diasporës shqiptare në Britani, duke përmendur raste të bizneseve të suksesshme familjare dhe kontributin e tyre ekonomik e shoqëror.
- YouTube www.youtube.com




















































