LAJMI I FUNDIT:

Amaneti i Agim Qirjaqit: Shembja e Teatrit është aferë e ndyrë

Amaneti i Agim Qirjaqit: Shembja e Teatrit është aferë e ndyrë

Për të kujtuar pjesëmarrësit se historia e shembjes së TK nuk nisi sot, organizatorët e takimit të së hënës (7 maj) për mbrojtjen e godinës së Teatrit Kombëtar, ku merrnin pjesë deputetë të opozitës, shfaqën imazhe të një takimi të zhvilluar 16 vjet më parë, në prezencën e kryetarit të atëhershëm të Bashkisë së Tiranës, kryeministrit të sotëm, Edi Rama.

Një ndër fjalimet më të qarta, më të drejtpërdrejta, ishte ai i aktorit Agim Qirjaqi. Të pranishmit gati mbanin frymën, kur Qirjaqi ngrinte zërin para kryebashkiakut dhe duke e akuzuar për afera korruptive. Por, jo vetëm atë, por të gjithë ata që heshtnin dhe nuk e denonconin atë aferë.


“Teatri ka ekzistuar dhe do të ekzistojë, sepse ka një publik të mrekullueshëm!”, kështu u shpreh Agim Qirjaqi. Ishte ky fjalim, ndoshta edhe amaneti i aktorit të rrallë, që do të ndahej nga jeta në një moshë ende të re dhe në kulmin e karrierës artistike. Mes gjithë fjalimeve të mbajtura deri më sot nga artistët, që prej rifillimit të kësaj maratone, në 8 shkurt, po risjellim reagimin e Agim Qirjaqit, në vitin 2002.

Fjala e aktorit, 16 vjet më parë: “Kjo nuk është një histori që ka nisur sot. Është një histori kriminale, e paargumentuar, në një strategji të caktuar, një aferë jo e ndershme në kurriz të Teatrit Kombëtar, në kurriz të kësaj godine, që meriton të jetë Teatër Kombëtar, edhe kështu siç është, me këtë arkitekturë.

Nuk e bën monument kulture një godinë, dukja, apo ndërtesa. E bën ajo çka është e lidhur me këtë skenë. Historia ka nisur kur ky Teatër u mbyll në mënyrë të padrejtë, për shkak të një zjarri hipotetik dhe tani duan t’ia vënë zjarrin tamam për interesat e një biznesi, për të ndërtuar një 15-katësh, dy godina apo tri godina dhe në katin e parë do të ndërtohet një Teatër. Më vjen keq që vazhdojmë një debat të tillë, kur gjërat janë shumë të qarta. Këtu kanë përgjegjësi të madhe ata që drejtojnë shtetin, jo vetëm ata që e kanë përgatitur këtë aferë të ndyrë, por edhe ata që heshtin dhe nuk e denoncojnë këtë aferë. Edhe ata janë po aq fajtorë sa ata që duan ta shembin Teatrin.

Shumë kohë më parë është folur për ngritjen e një teatri të ri, para se të vdisnin aktorët e mëdhenj, se duhet të ndërtoheshin edhe shumë teatro të rinj, se salla e estradës është mbyllur prej dy vjetësh, shtëpia e pionierit u prish dhe u bë kinema, edhe këtë teatër duan ta prishin dhe të ndërtojnë këtu. Përse nuk e ndërtojnë në një vend tjetër? Sepse prishën interesat e biznesmenëve.

Pra, e gjithë ideja e ngritjes së një Teatri të ri Kombëtar, është një alibi për të shkatërruar, që kur teatri u mbyll, që kur flitej poshtë e përpjetë që kjo godinë është e rrënuar, që kur ky Teatër u la qëllimisht katër vjet pa lyer, deri sa t’i bjerë çatia, vetëm për të përligjur, që ky Teatër të shembet.

Ky Teatër ka ekzistuar dhe do të ekzistojë se ka një publik të mrekullueshëm, që e do këtë Teatër dhe ky publik që vjen dhe mbush këtë sallë, ka një vlerë të madhe dhe në radhë të parë duhet të pyesim këtë publik. Unë mendoj që këtu është një lojë e ndyrë”. /Panorama/

Në trend Kultura

Më shumë
Të gjithë janë krijues

Të gjithë janë krijues

Kulture
Jeta me makthin e Titanikut

Jeta me makthin e Titanikut

Kulture
Jeta në komunizmin shqiptar

Jeta në komunizmin shqiptar

Kulture
Keqinterpretimi i historisë: Mesjeta e errët, nuk ishte aq e errët!

Keqinterpretimi i historisë: Mesjeta e errët, nuk ishte aq e errët!

Kulture
Karnavalet, origjina dhe domethënia

Karnavalet, origjina dhe domethënia

Kulture
Nëse ke Stratocaster, mund ta sundosh botën!

Nëse ke Stratocaster, mund ta sundosh botën!

Kulture
Kalo në kategori