eksperti-banner

Dhuna në familje është një çështje që deri vonë është kuptuar si krejtësisht private mes dy personave (të martuar) dhe diçka që ndodh brenda mureve të shtëpisë. Kështu ka vazhduar derisa kjo nuk u definua si një problem i shoqërisë. Personat që përjetuan dhunë nuk kishin kurrfarë ndihme nga ligji apo shteti. Fatmirësisht, pas përmirësimit të të drejtave të njeriut në Evropë (sidomos pas miratimit të Deklaratës Evropiane për të Drejtat e Njeriut) ky “cirkël i zi” u ndërpre dhe sot logjika dhe qasja ndaj këtij problemi ka ndryshuar rrënjësisht në Evropën Perëndimore. Edhe pse ky është një zhvillim pozitiv ka prapë shumë punë për të bërë dhe duhet një preventiv ndaj dhunës në familje. Sipas hulumtimeve dhe statistikave nga institucione të ndryshme ndërkombëtare që merren me ketë çështje të ndjeshme, grupi që më se shumti preket nga ky fenomen janë gratë në përgjithësi dhe posaçërisht ato që janë në marrëdhënie me burra. Por është e rëndësishme të theksojmë se ka edhe burra që përjetojnë forma të ndryshme të dhunës nga partnerët e tyre, e sidomos dhunë psikike.

Duke jetuar me një shoqëri ku mbizotëron mentaliteti tradicional sipas të cilit dhuna në familje është “çështje private” shoqëria e sotme nuk ju ofron shumë viktimave që janë rezultat i kësaj dhune. Nëse flasim për ndonjë ndihmë që ofron shoqëria apo shteti mund të thuhet se ekziston një ndihmë e vogël që ju drejtohet grave kur ato bëjnë një denoncim në polici për dhunë fizike dhe eventualisht ato mund të marrin edhe ndonjë ndihmë për fëmijët e tyre. Çka është interesante ne lidhje me këtë (mos) zhvillim është fakti që jemi në vitin 2010 dhe ende nuk kemi një rregullore ligjore apo një ligj që bazohet në një hulumtim serioz dhe gjithëpërfshirës të dhunës në familje në Kosovë. Por jo vetëm në Kosovë, por edhe në vende që janë më të zhvilluara nuk kemi hulumtime serioze në lidhje me ketë çështje. Në shumë vende të botës kjo çështje vazhdon të mbetet “private”.


Shembull për të mirë në këtë fushë mund të merret Norvegjia. Ky shtet skandinav (shtetet tjera skandinave vetëm tashmë kanë filluar të merren më seriozisht me ketë problem) pas shumë hulumtimesh dhe përpjekjesh ka arritur që t’i kuptojë mekanizmat se si mund të krijoj një strategji për të luftuar dhunën në familje. Norvegjezët kanë vlerësuar se një aspekt shumë i rëndësishëm i këtij problemi është të kuptohet qëllimi pse një burrë godet të dashurën apo partneren e vet. Sipas hulumtimeve që ata kanë bërë ka rezultuar se shumica e burrave që përdorin dhunë kanë qenë vet viktima të dhunës kur ishin të vogël. Hulumtimet tregojnë se përafërsisht 70 % e atyre që kanë qenë viktima të dhunës kur ishin fëmijë përdorin dhunë kur të rriten dhe hyjnë në një marrëdhënie me një femër. Nisur nga këto fakte që dalin nga hulumtimet, atëherë mund të konkludohet se këta njerëz që përdorin sot dhunë ndaj partnereve të tyre janë produkt i shoqërisë. Prandaj është e rëndësishme që me ketë problem të merret shoqëria dhe t’i eliminojë shkaqet ndërkohë që të merret me pasojat.

Sot burrat që përdorin dhune ndaj familjes së tyre (gruas apo fëmijëve) në shumë vende trajtohen si kriminelë edhe pse sipas ligjit ata bëjnë vepër penale. Por ajo që nuk është e domosdoshme është gjykimi i rreptë nga të tjerët, sepse përveç gjykatësit këta njerëz që përdorin dhune i gjykojnë edhe të tjerët. Në çdo instancë të shteti që ata kontaktojnë trajtohen me të njëjtin gjykim. Mirëpo për të pasur një zhvillim sa më të madh në parandalimin e dhunës ne familje duhet që të ndërrojmë krejtësisht ketë mënyrë trajtimi ndaj atyre që përdorin dhunë. Sipas shkencëtarëve që merren me ketë fushë është kundërproduktive që gratë të cilat kanë qenë viktima të dhunës t’i ndihmojmë, ndërsa burrat që kanë ushtruar dhunë t’i gjykojmë sepse kjo do të rezultojë e paefektshme pasi që burrat nuk do të kenë motivim që t’i ndryshojnë veprimet e tyre.

Sipas hulumtimeve është shumë e rëndësishme që shoqëria t’iu ofrojë burrave ndihmë me qëllim që ata të ndryshojnë veprimet e tyre. Por nuk duhet të krijohet përshtypja që kjo është një ndërmarrje e lehtë. Të ndryshosh një person të rritur është shumë e vështirë, e sidomos një burrë i cili është rritur dhe pjekur në një ambient të dhunshëm familjar dhe që ai ambient e ka shoqëruar gjatë gjithë jetës. Sidoqoftë, ndihma që mundet te ju ofrohet ka të bëjë me një strategji që përmbledh mjetet përmes të cilave një burrë ushtrohet të “mendojë ndryshe” dhe të ndryshojë stilin e veprimeve të tij. Në Norvegji ka funksionuar strategjia e cila quhet “alternativa e dhunës” (“Alternativ til vold”). Kjo strategji apo mënyrë reflektimi për ketë problem konsiston në atë që është e rëndësishme dhe nevojshme që ndryshimi të fillojë tek burrat. Kjo për arsye se rrënjët e asaj dhunë në familje gjenden tek ai dhe prandaj është edhe e natyrshme që të filloj ndryshimi dhe zgjidhja e problemeve tek ai.

Në shumicën e shoqërive sot, kur ndodh dhuna ndaj grave (apo fëmijëve) shteti ju ndihmon atyre grave që kanë përjetuar dhunë por jo edhe burrave që kanë përdorur dhunë. Kjo mënyrë kontribuon vetëm të kemi viktima tjera të dhunës pasi që burrat që përdorin dhunë ndaj grave të para kanë shumë gjasa që ketë ta vazhdojnë edhe ndaj grave të tjera. Sot është shumë e rëndësishme të fillojmë të ndryshojmë mendimet se si t’iu qasemi këtij problemi. Ndoshta modeli që vije nga Norvegjia është modeli më i mirë i mundshëm?

(Autorja ka magjistruar në të drejtat e njeriut në Universitetin e Goteborgut në Suedi. Aktualisht është udhëheqëse e një institucioni komunal suedez kundër dhunës në familje)