"Allianz Stadium", një thes ari për Juventusin - mbi 800 milionë euro të ardhura

Juventusi ka gjeneruar rreth 800 milionë euro të ardhura nga stadiumi Allianz që prej inaugurimit të tij në vitin 2011, sipas shifrave të publikuara nga Corriere dello Sport.
Bianconerët synojnë që kjo shifër të rritet edhe më tej në vitet në vijim, duke hapur impiantin për aktivitete jashtë futbollit, me objektivin për të arritur 100 milionë euro të ardhura vjetore.
Allianz Stadium është shndërruar në një pikë referimi për futbollin italian, duke qenë i vetmi ndër dhjetë stadiumet kandidate që plotëson plotësisht kërkesat e UEFA-s për organizimin e ndeshjeve të Euro 2032.
Një fortesë e vërtetë për Zonjën e Vjetër
Përveç të ardhurave, stadiumi ka qenë një faktor vendimtar edhe në aspektin sportiv. Në 267 ndeshje të Serie A të luajtura në Allianz, Juventusi ka regjistruar një bilanc mbresëlënës: 203 fitore, 46 barazime, vetëm 18 humbje.
Bianconerët kanë mbetur të pamposhtur në shtëpi në sezonet 2011/12, 2013/14 dhe 2016/17, ndërsa kanë humbur vetëm një ndeshje gjatë fushatave 2014/15, 2015/16, 2019/20 dhe 2023/24.
Rekordi i klubit përfshin edhe një seri historike prej 33 fitoresh radhazi në shtëpi, e regjistruar nga tetori 2015 deri në prill 2017.
Allianz Stadium, përveçse burim i madh financiar, ka mbetur simbol i fuqisë dhe dominimit të Juventusit në futbollin italian gjatë dekadës së fundit. /Telegrafi/



Allianz Stadium
Juventus 































