LAJMI I FUNDIT:

Alidemaj: Bizneset kosovare të fokusohen në zhvillimin e Departamentit të burimeve njerëzore

Alidemaj: Bizneset kosovare të fokusohen në zhvillimin e Departamentit të burimeve njerëzore

Eksperti i burimeve njerëzore, Liridon Alidemaj thotë se disa kompani kosovare kanë ngecur për shkak të menaxhimit të resurseve humane, ndërkohë thekson se çështje të tilla janë themelore për ekonominë e një vendi.

Alidemaj në një intervistë për KosovaPress thotë se pavarësisht numrit të konsiderueshëm të bizneseve me numër relativisht të madh të të punësuarve në vend, disa sosh ende nuk kanë as Departament të burimeve njerëzore.


Kjo pasi sipas tij, bizneset ende nuk janë duke e kuptuar rëndësinë e Departamentit të burimeve njerëzore në zhvillimin e biznesit.

“Sa i përket respektimit, këtu kisha thënë që është një ngecje tek disa kompani. Është për tu çuditur fakti që ka biznese që i kanë mbi 100 të punësuar dhe ende nuk kanë as Departament të burimeve njerëzore që është një hendikep shumë i madh, për shkak se çdo gjë fillon prej departamentit. Edhe në nivelin e hierarkisë është i pozicionuar si pjesë kyçe si departament, mirëpo ende ka punë për tu bërë, sidomos në kuptimin e sensibilizimit, rritjen e vetëdijesimit të shumë bizneseve”, thotë ai.

Derisa flet për rëndësinë e burimeve njerëzore për një kompani, ai thekson se çdo biznes duhet ta ketë një departament të tillë.

“Rëndësia e burimeve njerëzore është jetike. Është shumë më rëndësi që secili biznes, qoftë shoqëri me përgjegjësi të kufizuar apo pa marrë parasysh veprimtarinë, a është ndërmarrje tregtare, shërbyese, prodhuese, duhet të ketë departamentin e burimeve njerëzore sepse asnjë sukses i një biznesi nuk kish mundur të arrihet pa faktorin njeri… Një departament ku pa to kompanitë ndryshe do të funksiononin, është një funksion kyç ose një urë lidhëse mes punëdhënësve dhe punëmarrësve”, thekson Alidemaj.

Njohësi i çështjeve të ekonomisë u bënë thirrje të gjitha kompanive që mos t’i shohin burimet njerëzore vetëm si një departament administrativ, porse mundësi për të rritur performacën e tyre.

“Kisha bërë një lloj thirrje për të gjitha bizneset që të investojnë në sektorin e departamentit të burimeve njerëzore, për shkak se çdo gjë lidhet rreth punëtorëve, secili biznes duhet ta ketë stafin e motivuar, duhet te këtë një performancë të mirë sepse suksesi i bizneseve, qoftë rritja e të hyrave varet nga faktori njeri”, thotë ai.