Albulena Haxhiu: Emri im shkon vetëm një herë në votim të fshehtë

Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se nuk do të pranojë të rikandidohet nëse nuk e siguron shumicën absolute të votave në raundin e parë të votimit të fshehtë.
Haxhiu tha pas seancë së Kuvendit se qëndrimi i saj është i qartë dhe i pandryshueshëm: “Unë kam thënë që emri im me votim të fshehtë shkon vetëm një herë, pra nuk do të ketë herë të dytë. Nëse nuk i marrë 61 vota, unë do të tërhiqem”.
Duke iu referuar aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, ajo theksoi se votimi i fshehtë nuk përbën shkelje të Kushtetutës. Për më tepër, Haxhiu tha se Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar një kompromis për tejkalimin e ngërçit parlamentar.
“Propozimi i dytë ka qenë që të bëjmë një marrëveshje për rrëzimin e komisionit për votimin e fshehtë dhe më pas të merremi vesh për kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit”, deklaroi ajo.
Haxhiu gjithashtu akuzoi partitë opozitare për obstruksione të vazhdueshme: “Për sa kohë që ne kemi bërë lëvizje, ata po vendosin barrikada. Prandaj, nuk ka kuptim për mua të thuash që po shkojmë në takim, e të mos bëhet asnjë lëvizje nga pala tjetër.”
Kuvendi i Kosovës po përballet me një krizë të thellë funksionaliteti, pasi deputetët kanë dështuar tashmë 42 herë rresht të konstituohen, ndërkohë që afati kushtetues për përmbylljen e këtij procesi po afron me 26 korrikun si datë të fundit.
















































