Sulmuesi i Chelseat, Nicolas Jackson, i cili aktualisht është i huazuar te Bayern Munich, pritet të qëndrojë në Gjermani edhe pas përfundimit të sezonit.

Klubi bavarez ka një klauzolë blerjeje prej 65 milionë eurosh për sulmuesin Jackson, por sipas raporteve të fundit, marrëveshja mund të mbyllet për një shumë më të ulët.


Chelsea është e gatshme të pranojë një çmim më të ulët për ta larguar përfundimisht Jackson nga skuadra, pasi 24-vjeçari nuk bën më pjesë në planet afatgjata të klubit londinez.

Përveçse për të çliruar skuadrën nga ngarkesa e pagave, Chelsea synon të ristrukturojë përbërjen e ekipit në prag të sezonit të ardhshëm.

Nga ana tjetër, Jackson është i hapur për të qëndruar në "Allianz Arena" përtej verës së vitit 2026.

Drejtuesit e Bayern Munich tashmë kanë marrë një vendim dhe kanë vendosur ta mbajnë sulmuesin në skuadër.

Bild raporton se klubi gjerman ka arritur një marrëveshje për një kontratë pesëvjeçare me përfaqësuesit e lojtarit, e cila do të nënshkruhet në rast se kalimi bëhet i përhershëm.

Deri më tani, Jackson ka zhvilluar gjashtë ndeshje zyrtare me Bayern Munich, duke shënuar një gol dhe dhënë një asistim. /Telegrafi/

telegrafi sport app