Alarmi për mjet shpërthyes te Stacioni i Autobusëve në Prishtinë, doli i rremë


Policia e Kosovës ka njoftuar se alarmi për një mjet të dyshuar shpërthyes në afërsi të Stacionit të Autobusëve në Prishtinë ka rezultuar i rremë.
Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti për Telegrafin ka bërë me dije se informata është trajtuar nga ana e policisë dhe se pas kontrolleve të kryera nga njësitet kompetente nuk është gjetur asgjë e dyshimtë.
Sipas saj, hetuesit policorë, në koordinim me prokurorin e shtetit, kanë nisur punën për zbardhjen e të gjitha rrethanave që lidhen me këtë rast, i cili është cilësuar si lajmërim i rrejshëm.
"Informata është trajtuar nga ana e policisë. Pas kontrolleve të kryera nga njësitet kompetente, nuk është gjetur asgjë e dyshimtë. Hetuesit policor në koordinim me prokurorin e shtetit, kanë filluar punën për zbardhjen e të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast i cili është cilësuar si lajmërim i rrejshëm", ka shtuar ajo./Telegrafi/





































