Aktori legjendar Michael Madsen ndërron jetë në moshën 67 vjeçare
Aktori Michael Madsen ka ndërruar jetë në moshën 67 vjeçare në shtëpinë e tij në Malibu.
Sipas informacionit nga zyra e sherifit, nuk kishte elementë të rrethanave të dyshimta në vdekjen e tij.
Shërbimet e urgjencës u thirrën në shtëpinë e tij në Los Angeles të enjten në mëngjes dhe ai u shpall i vdekur në orën 8:25 të mëngjesit.

Menaxheri i aktorit, Ron Smith, konfirmoi me anë të email-it se Madsen vdiq nga një atak kardiak.
Në një deklaratë të përbashkët, Smith, menaxherja Susan Ferris dhe zëdhënësja Liz Rodriguez thanë: "Gjatë dy viteve të fundit, Michael ka punuar në projekte të jashtëzakonshme në prodhimin e filmave të pavarur, duke përfshirë filmat e ardhshëm 'Resurrection Road', 'Concessions' dhe 'Cookbook for Southern Housewives'. Ai e priste me padurim këtë kapitull të ri në jetën e tij me shumë entuziazëm”.
Michael po përgatitej gjithashtu për botimin e një libri të ri, "Tears for My Father: Outlaw Thoughts and Poems", i cili është aktualisht në proces redaktimi. Michael Madsen ishte një nga aktorët më të njohur të Hollivudit, i cili do t'u mungojë shumë njerëzve.
Gjatë një karriere që zgjati më shumë se katër dekada, Madsen fitoi njohje për interpretimin e personazheve enigmatikë dhe shpesh humoristikë të djemve të ashpër në filma si "Kill Bill: Vol. 1", "Reservoir Dogs", "Thelma & Louise" dhe "Donnie Brasco".
Ai u shfaq gjithashtu në filmat e mëvonshëm të Quentin Tarantino-s, duke përfshirë “The Hateful Eight” dhe “Once Upon a Time in Hollywood”. Filmografia e tij e gjerë, e cila sipas IMDb numëron 346 tituj, përfshin gjithashtu “The Doors”, “Free Willy”, “Species”, “Die Another Day”, “Sin City” dhe “Scary Movie 4”. /Telegrafi/








































