LAJMI I FUNDIT:

Aktakuzë për krime lufte për një serb nga Mitrovica

Aktakuzë për krime lufte për një serb nga Mitrovica

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur sot aktakuzë, pranë Departamentit për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, kundër personit Z.V. në drejtim te veprës penale “Krime Lufte kundër popullsisë civile”.

Sipas aktakuzës, i pandehuri gjatë kohës së luftës në Kosovë, më 5 maj 1999, në Vushtrri, në bashkëkryerje, ka vepruar në kundërshtim me normat e së drejtës ndërkombëtarë, duke shkelur nenin 3 (1a) të përbashkët për katër Konventat e Gjenevës, tё datës 12 gusht 1949, po ashtu edhe protokollin  shtesë (protokolli II) të kësaj Konvente të vitit 1977, neni 4, pikat 1 dhe 2, duke kryer veprimet e më poshtme:


  1. Pasi ka rrahur dhe plaçkitur persona të ndryshëm civil të nacionalitetit shqiptar, me dashje ka rrahur e pastaj edhe ka vrarë katër persona civil shqiptar tё identifikuar si: Enver Rustolli, Hamdi Fazliu, Avdulla Fazliu dhe Fahredin Fazliu.
  2. Duke vepruar nё mënyrë çnjerëzore ndaj civilëve tё nacionalitetit shqiptar me dashje ka cenuar integritetin trupor, shëndetin, mirëqenën fizike dhe mendore të 17 të dëmtuarve dhe dëshmitarëve, duke i torturuar dhe shkaktuar lëndime të rënda fizike dhe psikike, pasoja të cilat të dëmtuarit i bartin ende
  3. Me dashje dhe dhunshëm ka plaçkitur tё holla nё shuma të ndryshme, flori dhe gjëra tjera të çmueshme nga civilet e nacionalitetit shqiptar, konkretisht nga 8 tё dëmtuar dhe njëkohësisht dëshmitarë.

Më këtë i pandehuri, nё bashkëkryerje ka kryer veprën penale “krime Lufte kundër popullsisë civile”.

Aktakuza është ngritur nga një prokuror vendës i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës në bashkëpunim me një prokuror të misionit EULEX, të cilët i kanë propozuar gjykatës kompetente që të pandehurin ta shpallë fajtor për veprat e kryera penale dhe ta dënojë sipas ligjit.  /Telegrafi/