LAJMI I FUNDIT:

Aksidenti tragjik në Kroaci, deklarata e presidentit amerikan Biden për Kosovën dhe përhapja e variantit Delta – top lajmet e javës

Aksidenti tragjik në Kroaci, deklarata e presidentit amerikan Biden për Kosovën dhe përhapja e variantit Delta – top lajmet e javës

Të dielën, më 25 korrik vendi u trondit nga aksidenti në Kroaci, ku humbën jetën 10 shtetas të Kosovës dhe mbi 40 u lënduan gjatë ardhjes nga Gjermania për në Kosovë.

Javën që lamë pas vendi është përballur edhe rritje të të infektuarve me coronavirus, ndërsa të premten u bë e ditur se shumica e rasteve janë me variantin Delta, variant ky që po përhapet më shpejt.

Ndërkaq, po dje u bë e ditur se Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se në një ceremoni që do të organizojë këtë të diel, më 1 gusht, do të ndajë Medaljen Presidenciale për Sundim të Ligjit për të ndjerin Beau Biden, të birin e Presidentit amerikan Joe Biden për kontributin e tij në këtë fushë gjatë shërbimit të tij në Kosovë.


Biden, përmes një video-mesazhi ka falënderuar shtetin e Kosovës që këtë të diel përmes një ceremonie do të ndajë Medaljen Presidenciale për Sundim të Ligjit për djalin e tij, Beau Biden, ndërsa u zotua se SHBA-të do të mbeten partner i palëkundur i Kosovës.

E diela e kobshme – gjithçka që ndodhi në mëngjesin e hershëm të 25 korrikut në Kroaci

Të hënën që lamë pas presidentja e vendit, Vjosa Osmani e ka shpallur ditë zie pas aksidentit në Kroaci, ku humbën jetën 10 qytetarë nga Kosova, mërgimtarë dhe më shumë se 40 u lënduan.

Mërgimtarët ishin duke ardhur nga Gjermania për pushime në Kosovë.

Sipas konfirmimit zyrtar, shoferi po lëvizte në korsinë jugore në drejtim të Lipovacit, në kilometrin e 211-të, kur humbi drejtimin dhe doli nga rruga, duke kaluar kështu në pjesën me bar dhe rrotulluar anash.

Si pasojë, 10 persona vdiqën, më shumë se 40 u plagosën, shumë prej tyre rëndë. Po ashtu brenda autobusit ndodheshin edhe 15 fëmijë.

Pas aksidentit, kanë intervenuar policia kroate, zjarrfikësit, anëtarët e Shërbimit Emergjent dhe shërbimi tërheqës, të cilët bënë gjithçka për të ndihmuar sa më shumë të lënduarit.

Policia dhe prokurorët kroatë kanë hapur një hetim dhe rrethanat e aksidentit do të hetohen.

Kryeministri Albin Kurti dhe zyrtarë të shtetit të Kosovës si dhe të Kroacisë ka vizituar të lënduarit në Kroaci.

Ndryshe, të premten mbrëma ngjyrat e flamurit të Kroacisë dhe mbishkrimi “Faleminderit Kroaci/Hvala Hrvatska”, kanë ndriçuar ndërtesën e Qeverisë së Kosovës.

Nëpërmjet ngjyrave ndriçuese, Qeveria e Republikës së Kosovës ka falënderuar Republikën e Kroacisë për ndihmën që ua dha bashkatdhetarëve tanë, pas aksidentit tragjik në afërsi të qytetit Slavonski Brod, ku humbën jetën dhjetë bashkatdhetarë të cilët udhëtonin nga Gjermania për në Kosovë.

Mirënjohje dhe respekt të veçantë Qeveria e Kosovës shprehë për Kryeministrin e Republikës së Kroacisë, Andrej Plenkoviq dhe përkushtimin e tij personal për të ndihmuar bashkëqytetarët e lënduar dhe institucionet e Kosovës.

Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë të ruajë miqësinë dhe marrëdhëniet e shkëlqyeshme me shtetin mik të Kroacisë, që e ka përkrahur shtetin tonë në të gjitha fazat e shtetndërtimit.

Biden me video-mesazh për Kosovën: SHBA-të do të mbeten partneri i palëkundur i Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se në një ceremoni që do të organizojë këtë të diel, më 1 gusht, do të ndajë Medaljen Presidenciale për Sundim të Ligjit për të ndjerin Beau Biden, të birin e Presidentit amerikan Joe Biden për kontributin e tij në këtë fushë gjatë shërbimit të tij në Kosovë.

Ndërkaq, Biden i drejtohet Kosovës një video-mesazh të regjistruar, të cilin e ka parë CNN-in, do të transmetohet gjatë një ceremonie në Kosovë me pranimin e medaljes presidenciale pas vdekjes së djalit të tij, i cili vdiq nga kanceri në tru në vitin 2015.

Në këtë video, pjesë të së cilës janë transmetuar të premten, Biden thotë se çmimi është një “nder i madh” dhe se djali i tij “ra në dashuri me vendin” kur kaloi kohën atje. Beau Biden punoi në Kosovë pas luftës së viteve 1998-1999 me forcat ushtarake serbe dhe së bashku me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë ka kontribuar në trajnimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve vendor, transmeton Telegrafi.

Biden, përmes një video-mesazhi ka falënderuar shtetin e Kosovës që këtë të diel përmes një ceremonie do të ndajë Medaljen Presidenciale për Sundim të Ligjit për djalin e tij, Beau Biden.

Presidenti i SHBA-ve tha se janë mirënjohës për të gjithë njerëzit e Kosovës, në të cilën Beau ra në dashuri me ta.

“Ai ka besuar aq thellë në pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës. Si avokat në kuadër të Departamentin Amerikan të Drejtësisë ai ishte vullnetar që të shkoj Kosovë dhe ta jap kontributin për pavarësinë dhe demokracinë tuaj por mbi të gjitha sundimin e ligjit”, tha Biden në video-mesazh dërguar Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, transmeton Telegrafi.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se në Kosovë ka shumë punë për të bërë dhe se për këtë ai tha se “unë nuk kam nevojë që t’ua them juve këtë”.

“Ka edhe shumë punë për të bërë që nuk kam nevojë të ju tregoj, më shumë punë për të luftuar korrupsionin, për të mbrojtur të drejtat e pakicave etnike dhe religjioze, për të ndërtuar marrëdhënie pozitive me shtetet fqinje dhe për të rritur zhvillimin ekonomik”.

“Ju zotohem se Shtetet e Bashkuara do të mbeten partneri i palëkundur i Kosovës në këtë punë, kështu që së bashku ne mund të dëshmojmë se demokracitë janë në gjendje të ofrojnë për nevojat e njerëzve të tyre”, ka thënë presidenti Biden në video-mesazhin e tij për Kosovën.

Varianti Delta i coronavirusit mbizotërues në Kosovë

Xhevat Jakupi nga Departamenti i Mikrobiologjisë në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik ka bërë të ditur se nga të dhënat e fundit del se varianti Delta i coronavirusit është mbizotërues në Kosovë.

Jakupi të premten në një konferencë për media së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia tha se të dhënat e fundit nga Departamenti i mikrobiologjisë tregojnë se dikur 80 deri në 90 për qind të izolanteve të fundit të coronavirusit janë të variantit Delta, raporton Telegrafi.

“Para tre katër muajsh, varianti Alfa ose ai britanik ishte në 98 për qind të rasteve, tani është vetëm 7-8 për qind të izolanteve, ndërsa nuk gjen izolante të variantit të Afrikës së Jugut ose Brazilian”, tha ai.

Sipas tij, tashmë ka ndryshuar situata, duke qenë mbizotërues varianti Delta në javët e fundit. “80 deri në 90 të izolanteve të coronavirusit janë të variantit Delta”.

Ai tha se ky variant i coronavirusit përhapet shumë më shpejt, e kjo sipas tij do të thotë që mund të preken më shumë njerëz, e rrjedhimisht të ketë më shumë hospitalizime.

Ndërkaq, edhe ministri Vitia tha se varianti Delta po përhapet më shpejtë.

Ai tha se pandemia COVID-19 është larg përfundimit dhe  arma e vetme kundër është vaksinimi.

“Jemi këtu për të ndarë shqetësimin për rrezikun e përhapjes së coronavirusit për shkak të përhapjes me shpejtësi të variantit Delta në Kosovë, si në shumë vende tjera të botës”, tha ai, duke shtuar se OBSH po tërheq vëmendjen se Delta po është dominues dhe duhet forcuar përpjekjet për të ndaluar përhapjen, i cili për pasojë do të kishte mbushjen e spitaleve me pacientë, ngarkesën e personelit shëndetësor etj, pa përjashtuar edhe rastin më të keq mbylljen e veprimtarive sportive, kulturore, sociale e ekonomike.

Ai tha se duke qenë situata e tillë, duhet të veprojnë dhe të përdorim ato instrumente e mundësi që i kanë në dispozicion për të parandaluar përhapjen e virusit.

“Pavarësisht të gjithave, arma e vetme kundër COVID-19 është vaksinimi dhe respektimi i masave në fuqi”, tha Vitia, duke rekomanduar shmangien e tubimeve, bartjen e maskave në vende të mbyllura, mbajtjen e higjienës.

Sipas tij, sot kur ka vaksina dhe kur ekziston mundësia e zgjedhjes, Pfizer ose AstraZeneca nuk ka asnjë arsye të vetme për tu mos u vaksinuar.

“Jemi ende shumë larg përfundimit të pandemisë dhe këtë duhet kuptuar të gjithë. Hezitimi për të vaksinuar vetëm do ta rëndojë situatën”, tha ai, duke shtuar se përkundur rritjes së interesimit, ka shumë komuna ku ende vërehet hezitim për të marr vaksinën.

“Marrja e dy doza të vaksinimit ulë rrezikun për tu sëmur rëndë dhe për të vdekur”.

Ministri i Shëndetësisë luti qytetarët që të vaksinohen sa më shpejt sepse përhapja e shpejtë e variantit Delta është kërcënim. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Politikë
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost

“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin

Lajme
Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Lajme
Analistët komentojnë adresimin e presidentes Osmani në Kuvend

Analistët komentojnë adresimin e presidentes Osmani në Kuvend

Lajme
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Kronika e Zezë
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve

Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve

Drejtësi
Kalo në kategori