LAJMI I FUNDIT:

Aksi i Danubit kërcënon sigurinë e Evropës

Aksi i Danubit kërcënon sigurinë e Evropës

Në mes të Evropës është formuar një fare boshti, një aks mbi Danub, i cili sfidon zhvillimet demokratike të çdo shteti dhe minon sigurinë e kontinentit. Qeveritë e Hungarisë, Serbisë, Sllovakisë dhe ajo e Republika Srpska në Bosnje-Hercegovinë po krijojnë një aleancë që ka për qëllim t’i kundërvihet parimeve të unitetit evropian dhe të transatlantizmit të NATO-s. Mbrojtësi kryesor i këtyre qeverive është Rusia e Vladimir Putin.

Qeveritë e “Boshtit të Danubit” operojnë mbi një sërë parimesh kyçe. Janë skeptike ndaj BE-së, por, nga ana tjetër, përpiqen të përfitojnë nga buxheti i përbashkët i BE-së, qofshin ata anëtarë, si në rastin e Hungarisë apo kandidatë, si në rastin e Serbisë.


Kërkojnë ta kufizojnë zgjedhjen demokratike dhe pluralizmin politik dhe të garantojnë fitore në zgjedhjet e ardhshme përmes mbajtjes nën kontroll të medias dhe institucioneve shtetërore. Janë më të korruptuara se qeveritë e tjera pasi llogaridhënia është e kufizuar dhe partitë në pushtet kontrollojnë flukset financiare. Dhe këto qeveri janë pro-ruse dhe anti-amerikane, pasi Uashingtoni nxit për demokraci, ndërsa Moska mirëpret autokratë të parashikueshëm që mund t’i përdorë për planet e veta ekspansioniste.

Hungaria ka qenë lidere e Boshtit të Danubit për vite me radhë, që kur Victor Orbán u zgjodh kryeministër për herë të parë, në 2010-ën. Partia Fidesz e Orbanit ka hedhur rrënjë të thella në të gjitha institucionet shtetërore dhe mediat, ka mënjanuar rivalët politikë dhe e ka shfaqur veten në sytë e elektoratit si mbrojtësja e pavarësisë hungareze ndaj ndërhyrjeve evropiane dhe amerikane.

Problemi më i madh për pozicionin e Hungarisë në Evropë nuk janë vlerat e tyre shoqërore konservatore ose “joliberale”, por kapja e shtetit nga partia në pushtet dhe dobësimi i parimeve demokratike, si strategji për përjetësimin e sundimit të Fidesz-it.

Serbia iu bashkua Boshtit të Danubit nën regjimin e Aleksandër Vuçiqit dhe ka krijuar një marrëdhënie fort të ngushtë me Hungarinë e Orbanit. Vuçiqi e admiron përçarjen e BE-së në vendimmarrje nga ana e Orbanit dhe kontributin minimalist të Hungarisë për sigurinë e NATO-s. Në këmbim, Orbán ka mbështetur në heshtje pretendimet e Serbisë për të qenë fuqi hegjemone e Ballkanit Perëndimor, ka përdorur retorikë antiboshnjake dhe antishqiptare teksa kinse mbronte “kulturën e krishterë” dhe “vlerat evropiane” dhe ka përkrahur haptazi qëndrimet e Milorad Dodik në Republika Srpska të Bosnjës.

Sllovakia hyri në Boshtin e Danubit pas zgjedhjeve parlamentare të shtatorit 2023 dhe kthimit në pushtet të kryeministrit Robert Fico. Fico ka mbajtur marrëdhënie të ngushta me Moskën, por popullariteti i tij është kryesisht rrjedhojë e pakënaqësisë së përhapur në popull ndaj qeverisë së mëparshme, përgjatë një periudhe kohore me inflacion të lartë.

Gjithsesi, ndryshe nga Hungaria, partia Smer e Ficos ka vetëm një shumicë të vogël parlamentare në një koalicion trepartiak dhe nuk mund të përfshihet në politika të hapura kontroverse që do t’i largonin partnerët e saj dhe do të çonin në zgjedhje të reja. Prandaj, në krahasim më Hungarinë apo Serbinë, përfshirja e Sllovakisë në Boshtin e Danubit është më pak e formësuar dhe e qëndrueshme.

Veç kësaj, Fico është më shumë oportunist sesa ideolog. Për shembull, gjatë vizitës së tij të fundit në Ukrainë ai shprehu mbështetjen e tij për integritetin territorial të Ukrainës dhe u zotua të vazhdonte t’i shiste armë Kievit.

Edhe Republika Çeke, Kroacia, Sllovenia e Austria mund t’i bashkohen Boshtit të Danubit në periudha të caktuara, si rrjedhojë e shfrytëzimit të zemërimit publik prej kushteve ekonomike dhe fluksit të emigrantëve joevropianë nga ana e politikanëve nacionalistë, populistë apo oportunistë.

Kroacia do zhvillojë zgjedhje parlamentare në pranverë dhe zgjedhje presidenciale nga fundi i vitit. Bashkimi Demokratik Kroat (CDU) në pushtet është përpjekur të imitojë Orbanin dhe Vuçiqin për ta bërë sundimin e tij më të afatgjatë. Fokusi kryesor i CDU-së jashtë kufijve të Kroacisë ka qenë të mbështesë bashkatdhetarët e tyre nacionalistë në Bosnje-Hercegovinë për ta ndarë vendin në tre entitete autonome. Prandaj, interesat e Zagrebit në Bosnje përkojnë me ato të Beogradit, edhe pse të dy qeveritë nuk mund të krijojnë një aleancë të qëndrueshme, për shkak të mosmarrëveshjeve historike që vijojnë dhe nacionalizmit armiqësor.

Nuk ka ndonjë zgjidhje të thjeshtë për neutralizimin e një boshti që jetësohet në sajë të polarizimit politik dhe dobësimit të sigurisë kontinentale. Megjithatë, ndërsa liderët evropianë po përqendrohen gjithnjë e më shumë në ndërtimin e një mbrojtjeje të qenësishme kundër Rusisë, duke mos z mbështetur thjesht tek udhëheqja amerikane, ata duhet të jenë të kenë një qasje të qartë ndaj e të vonuarve mbi Danub.

Anëtarët e NATO-s, si Hungaria dhe Sllovakia, duhet të përmbushin detyrimet e tyre për shpenzimet e mbrojtjes, ndërsa kundërshtarët e NATO-s, si Serbia e madje edhe Austria, do të duhet të tkurrin lidhjet e tyre ekonomike dhe politike me Moskën, në rast se duan të përfitojnë nga financimi i BE-së. Shtet e vijës së pare, të cilët përballen në vijimësi me imperializmin rus nuk i zënë besë “Boshtit të Danubit”.

Nëse në të ardhmen do shpërthejë lufta midis Evropës dhe Rusisë, siç është paralajmëruar kohët e fundit nga ministrat e mbrojtjes të Gjermanisë, Suedisë, Norvegjisë, Polonisë dhe vendeve të tjera, pyesni veten se cilën anë do të mbështesnin Budapesti dhe Beogradi? /Gazeta “Dita”/