LAJMI I FUNDIT:

AKP-ja, administratore e Trepçës

AKP-ja, administratore e Trepçës

Qeveria ka vendosur që Agjencia Kosovare e Privatizimit të jetë administratore e ndërmarrjes “Trepça”. Detyrë e AKP-së është të bëjë edhe studimin e fizibilitetit për ndërmarrjen “Trepça” që më pas dokumentin e tillë ta dërgojë në Qeverinë e Kosovës dhe në bazë të këtij dokumenti pritet të bëhet edhe draftligji për ndërmarrjen “Trepça”.

Në anën tjetër, ekspertë të ekonomisë në vend kanë thënë se të gjitha veprimet e marra nga ana e Qeverisë janë të mirëpritura pasi, sipas tyre, “Trepça” vazhdon të jetë në gjendje të rëndë. Por, ata hedhin kritika në adresë të Qeverisë pasi, sipas tyre, AKP-ja nuk është e aftë të bëjë studimin e fizibilitetit për “Trepçën”, por një gjë të tillë duhet ta bëjë vetë Qeveria.


Ibrahim Rexhepi, njohës i rrethanave ekonomike, ka thënë se Agjencia Kosovare e Privatizimit nuk është e aftë dhe nuk ka kapacitete të kryejë studimin e fizibilitetit, prandaj, sipas tij, është detyrë e Qeverisë që të merret me një studim të tillë.

Rexhepi thotë se me rëndësi është fakti se Qeveria duhet t’i ketë dokumentet e veta dhe mbi to të ndërtojë agjendën dhe planin e veprimit për gjigantin metalurgjik “Trepça”.

“Të gjitha veprimet e përmendura janë të domosdoshme, madje kisha për të thënë edhe akute. Nuk ka asnjë arsye për vonesë, meqenëse gjendja në ‘Trepçë’ është e rëndë. Qeveria duhet të veprojë konkretisht, pasi ka marrë ketë obligim. Mendoj, se të gjitha detyrat konkrete si hartimi i planit të fizibilitetit, harmonizimi i borxheve, nxjerrja e ligjit dhe e strategjisë janë punë që duhet t’i kryejë Qeveria e Kosovës, meqenëse AKP-ja nuk mund t’i bëjë këto. Disa madje nuk janë as përgjegjësi të saja, kurse për disa dokumente, si është fizibiliteti, nuk ka kapacitete e as disponim ta kryejë këtë. Po të kishte do ta bënte edhe më herët këtë punë”, ka thënë ai. /Zëri/Telegrafi/