LAJMI I FUNDIT:

AKK: Komunat me mbi 27 milionë euro dëme nga falja e 100 eurove të tatimit në pronë

AKK: Komunat me mbi 27 milionë euro dëme nga falja e 100 eurove të tatimit në pronë

Mbi 27 milionë euro llogaritet të jetë dëmi që u shkaktohet komunave nga zbatimi i Ligjin për Tatimin në pronën e paluajtshme.

Në bazë të përllogaritjes së Asociacionit të Komunave të Kosovës, më e dëmtuara është Komuna e Prishtinës me mbi 6 milionë e 800 mijë euro, e pasuar nga Komuna e Prizrenit me 3 milionë euro, pastaj janë Peja e Gjakova me 2 milionë e 400 mijë euro, Gjilani me 2 milionë e 150 mijë euro, ndërsa Ferizaj e Mitrovica me nga 2 milionë euro.


Në këtë përllogaritje nuk janë përfshirë të gjitha komunat e Kosovës (mungojnë nëntë komuna).

Falja e tatimit në pronë deri në 100 euro, Murati: Komunat të vendosin më së largu deri më 15 shtator
Lexo po ashtu Falja e tatimit në pronë deri në 100 euro, Murati: Komunat të vendosin më së largu deri më 15 shtator

Komunat e kanë marrë urdhëresën nga Ministria e Financave dhe afati i fundit për zbatimin e saj është data 15 shtator.

Kuvendi më 27 korrik ka miratuar ndryshimin e Ligjit të ri për tatimin në pronën e paluajtshme, i cili parasheh mundësinë për të përfituar nga zbritja e faturave të vitit 2023 deri në 100 euro, lirime tatimore për banimin primar dhe tokën bujqësore, kufizim të përllogaritjes së interesit që të mos tejkalojë vlerën e detyrimit tatimor, zbritje të shkallës së poshtme tatimore për vitin 2024 dhe fillimin e aplikimit të tatimit progresiv nga viti 2025.

Komunat e Kosovës pritet ta dërgojnë këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese. Sipas AKK-së, miratimi i tij pa konsulta paraprake me komunat e ka cenuar autonominë lokale financiare.

“Duke u bazuar në Kushtetutën e Kosovës, ku thuhet që palët e autorizuara për ngritjen e rasteve në Gjykatë janë edhe Komunat, atëherë Bordi i AKK-së duke marrë parasysh që komuna si Institucion shtetëror është e autorizuar që të kontestojë kushtetutshmërinë e ligjeve dhe akteve ligjore, i rekomandon komunat që ta dërgojnë këtë Ligj në Gjykatën Kushtetuese për interpretimin e tij Kushtetues”, thuhet në njoftimin e AKK-së.

Sipas Asociacionit, me këtë Ligj janë cenuar rëndë përgjegjësitë komunale dhe se ky Ligj ka ndikim të drejtpërdrejt në zvogëlimin e të hyrave të komunave, afektim në projektet kapitale dhe debalancim mes projeksioneve investuese dhe të hyrave vetanake, si të hyrat kryesore të pushtetit lokal. /Telegrafi/