LAJMI I FUNDIT:

Falja e tatimit në pronë deri në 100 euro, Murati: Komunat të vendosin më së largu deri më 15 shtator

Falja e tatimit në pronë deri në 100 euro, Murati: Komunat të vendosin më së largu deri më 15 shtator
Foto: Arkiv

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar se Ligji i ndryshuar për Tatimin në Pronë tashmë është në fuqi pas votimit në Kuvend dhe dekretimit nga Presidentja.

Përmes këtij ligji, ai ka thënë se mundësohet falja e faturave të tatimit në pronë deri në 100 euro për secilin tatimpagues, dhe ka bërë të ditur se komunat duhet të vendosin më së largu deri më 15 shtator për këtë zbritje.


“Pra, të gjitha komunat do ta kenë mundësinë që të zvogëlojnë barrën tatimore për qytetarët, ashtu siç kanë kërkuar, dhe kësisoj t’i kursejnë shumicën prej tyre nga pagesa e këstit të dytë që duhet të bëhet muajin shtator”, ka shkruar Murati në Facebook.

Hyrja në fuqi e Ligjit për Tatimin në Pronë, Murati: U takon komunave që ta miratojnë zbritjen prej 100 eurove
Lexo po ashtu Hyrja në fuqi e Ligjit për Tatimin në Pronë, Murati: U takon komunave që ta miratojnë zbritjen prej 100 eurove

Në rast miratimi nga komuna, ministri ka sqaruar se qytetarëve që tashmë kanë paguar faturën e tatimit në pronë, shuma e paguar u llogaritet parapagim për faturën vijuese.

Lidhur me faljen e 100 eurove të Tatimit në Pronë, Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka paralajmëruar se ky ligj të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese për interpretim.

Sipas AKK-së, komunat me miratimin e këtij ligji në Kuvendin e Kosovës do humbasin me dhjetëra miliona euro dhe miratimi i tij pa konsulta paraprake me komunat e ka cenuar autonominë lokale financiare.

“Duke u bazuar në Kushtetutën e Kosovës, ku thuhet që palët e autorizuara për ngritjen e rasteve në Gjykatë janë edhe komunat, atëherë Bordi i AKK-së duke marrë parasysh që komuna si Institucion shtetëror është e autorizuar që të kontestojë kushtetutshmërinë e ligjeve dhe akteve ligjore, i rekomandon komunat që ta dërgojnë këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese për interpretimin e tij kushtetues”, thuhet në reagimin e AKK-së.

Rritja e faturave të tatimit në pronë ka ndodhur pas vlerësimit të përgjithshëm të tokave dhe objekteve rezidenciale, që ka bërë MF-ja në fund të vitit të kaluar.

Pas këtij vlerësimi, tatimi në pronë për disa është rritur deri në 100 për qind, e për disa ka mbetur i pandryshuar, pasi vlera e pronës, pas vlerësimit, nuk ka ndryshuar. Partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës e kanë kundërshtuar rritjen e tatimit në pronë.

Nga tatimi në pronë, buxheti i Kosovës ka të hyra vjetore deri në 40 milionë euro. /Telegrafi/