LAJMI I FUNDIT:

“Akademikë, divorcohuni nga biznesmenët”!

“Akademikë, divorcohuni nga biznesmenët”!

Drejtori i informacionit në Tribuna Media Group, Agron Halitaj, ka reaguar ndaj mënyrës se si Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës (ASHAK), ndan çmime për të rinjtë që tregohen të suksesshëm në aspektin arsimor. Reagimi i tij ka të bëjë me faktin se ky institucion merr një milionë euro nga shteti e nuk është në gjendje të ndajë tremijë euro për këtë çmim motivues. Me faktin që në reagim e tij përmendet shuma e një milion eurove, Halitaj thumbon edhe “rezultatet” e këtij institucioni të lartë arsimor e shkencor që lënë shumë për të dëshiruar.

“Ideja e mendjendriturve të shtetit, të grumbulluar në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, për t’i shpërblyer të rinjtë që tregohen të suksesshëm gjatë ngritjes së tyre arsimore është për t’u përshëndetur.


Hiq anën monetare, veç vlerësimi nga akademikët, është motivim për cilindo që merr çmim nga institucioni më i lartë i dijës. Dhe, jo vetë për ata!

Por, ku është e keqja?

ASHAK nuk e ndanë “Shpërblimin mbështetës” prej tre mijë eurosh me para të veta, por me donacione të kompanive private.

A nuk është mjerim:

– për Qeverinë që nuk ndanë buxhet për shkencë

– për ASHAK-un që nuk është në gjendje prej atij një milionëshi që ia jep shteti t’i veçoj tre mijë euro për ndarje të çmimit, dhe

– për kryetarin e ASHAK-ut që iu drejtohet donatorëve me: ” Tri herë faleminderit!”

Akademia nuk do duhej të krijonte kurrfarë varësie as kurrfarë ndërlidhjeje me bizneset private.

Akademikët e nderuar do duhej ta dinin se biznesmenët, sot të japin para por nesër t’i ndalin.

E po ashtu, do duhej ta dinin se, bisnesmenet paradite t’i japin paratë e pasdite mund të kërkojnë favore.

Prandaj, ASHAK, divorcohu nga biznesmenët, pavarësisht qëllimit të mirë.

Nëse bash doni t’i ndihmoni të rinjtë, atëherë tregohuni edhe vet pak solidar. Hapni kuletat!”, ka shkruar Halitaj në profilin e tij në Facebook. /Telegrafi/