Ajo që dikur ishte trishtim, tani është paqe ...

Nga: Rabindranath Tagore
Përktheu: Bajram Karabolli
Po ecja përgjatë një shtegu, kur një zë gruaje pas meje më tha:
- Më njeh?
U ktheva dhe iu përgjigja:
- Nuk e mbaj mend kush jeni.
Ajo më tha:
- Unë jam ai trishtimi i thellë që ke vuajtur shumë kohë më parë.
Sytë e saj ndriçonin si mëngjesi, kur vesa ende s’ka rënë mbi tokë.
Heshta, pastaj e pyeta:
- Ku e ke gjetur tërë atë ngarkesë të madhe lotësh?
Ajo buzëqeshi pa m’u përgjigjur.
E kuptova se lotët e saj kishin pasur kohë të mësonin gjuhën e buzëqeshjes.
Më tha:
- Dikur ishe i bindur se do ta ruaje trishtimin përgjithmonë.
I turpëruar, iu përgjigja:
- Është e vërtetë, por vitet kanë kaluar.
Pastaj, me dorën e saj në dorën time, thashë:
- Por edhe ti ke ndryshuar.
Ajo m’u përgjigj me qetësi:
- Duhet ta dish se ajo që dikur ishte trishtim, tani është paqe ...




















































