Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha sot se do të rrisë ndjeshëm tarifat ndaj Indisë për blerjen e naftës ruse.

"India jo vetëm që blen sasi të mëdha nafte ruse, por shet pjesën më të madhe të naftës që blen në tregun e hapur për fitime të mëdha. Ata nuk interesohen se sa njerëz vriten në Ukrainë nga makina ruse e luftës", tha Trump në një postim në Truth Social.


"Kjo është arsyeja pse unë do ta rris ndjeshëm tarifën që India i paguan SHBA-së", shtoi ai.

Por, Trump nuk dha detaje se sa do të jetë tarifa.

Ndryshe, gjatë fundjavës, dy burime qeveritare indiane i thanë Reuters se India do të vazhdojë të blejë naftë nga Rusia pavarësisht kërcënimeve të Trumpit.

Një tarifë prej 25% për produktet indiane hyri në fuqi të premten në hakmarrje për blerjet e pajisjeve ushtarake dhe produkteve energjetike nga Rusia nga India.

Trump gjithashtu ka kërcënuar të vendosë tarifa 100% për importet nga vendet që vazhdojnë të blejnë naftë ruse, nëse Moska nuk arrin një marrëveshje paqeje me Ukrainën. /Telegrafi/