LAJMI I FUNDIT:

AI-ja dhe muzika: A duhet t’i ngjallim këngëtarët e vdekur?

AI-ja dhe muzika: A duhet t’i ngjallim këngëtarët e vdekur?
Ilustrim

Nga: Arwa Haider / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com

“Mendoj se me të vërtetë jemi në prag të një gjëje emocionuese dhe të tmerrshme … është formë e jetës jashtëtokësore”. Kur [David] Bowie shprehu këto mendime në një intervistë të vitit 1999, e përshëndeti agimin e ri krijues – ose kataklizmën e mundshme – të epokës digjitale. Fjalët e tij duken edhe më interesante disa vjet pas vdekjes së tij (ylli u largua nga kjo botë në vitin 2016). Industria e muzikës mbetet në një gjendje fluksi dhe teknologjia vazhdon të lidh sferat – dhe ndoshta edhe të ngjall zërat e këngëtarëve prej kohësh të vdekur.


Muzika e AI-së [inteligjenca artificiale] shpeshherë nënkupton debatet rreth tingujve të rremë të zërit [deepfake], të krijuar në mënyrë digjitale qoftë duke i imituar stilet e yjeve bashkëkohorë (për shembull, kënga e fundit e AI-së “artistit të rrejshëm Drake ” – The Weeknd Heart on my Sleeve – u ngarkua nga përdoruesi i TikTok-ut, ghostwriter977) ose legjendat e vdekura – duke përfshirë një mori “këngësh të reja” të AI-së së Bowiet, versione dhe duete imagjinare (të tilla si Life on Mars me një Freddie Mercury digjital). Në të njëjtën kohë, muzika e AI-së lidhet me teknologjinë më të avancuar që përdoret për të rregulluar regjistrimet e bëra në të vërtetë nga një këngëtar gjatë jetës – siç është “incizimi përfundimtar” i shpallur së fundmi për Beatles: ende pa titull, por që mendohet të jetë kompozim i vitit 1978 i John Lennonit i quajtur Now and Then.

AI-ja po e bën realitet ëndrrën e çdo adhuruesi të grupit Beatles – por a duhet?
Lexo po ashtu AI-ja po e bën realitet ëndrrën e çdo adhuruesi të grupit Beatles – por a duhet?

Ky nuk është incizimi i vetëm “i ri” i Katërshes Fantastike, pas ndarjes së anëtarëve origjinalë ose vdekjes së Lennonit më 1980; Free as a Bird (me vokalin kryesor të çuditshëm të Lennonit) u bë hit ndërkombëtar në 1995 – por, aftësitë e teknologjisë janë rritur që atëherë, ndërsa seria e arkivave të dokumentarit Get Back (2021), me regji nga Peter Jackson, rezultoi si e gjë thelbësore. McCartney, në një intervistë të fundit në Radio 4, shpjegoi se zëri i John Lennonit ishte nxjerrë nga “një pjesë e kasetës”, duke përdorur teknologji të trajnuar për të zbuluar zërat individualë dhe për t’i veçuar ata nga audioja përreth.

“E kishim zërin e Johnit dhe një piano dhe ai [Jackson] mund t’i ndante me AI”, tha McCartney. “Ata i thonë makinës: ‘Ky është zëri. Kjo është kitara. Hiqe kitarën’. Kështu që, kur arritëm ta bënim atë që do të jetë incizimi i fundit i Beatles, ishte një demo me Johnin dhe ne ishim në gjendje ta marrim zërin e Johnit dhe ta bënim të pastër përmes kësaj AI-je”.

Teksa softueri i mësimit të makinerive po evoluon me shpejtësi, ka motive të thella për t’u shprehur pas vdekjes. Si adhurues të muzikës, zakonisht jemi të ngazëllyer kur dëgjojmë ndonjë gjë për këngëtarët tanë të preferuar; nëse nuk janë më me ne, kjo e shton dëshirën. Ka ndikim emocional fakti që Lennoni “ribashkohet” me McCartneyn (si në “duetin e tyre virtual” në Glastonbury vitin e kaluar), ose kur materializohen hologramet (Tupac, Maria Callas, Ronnie James Dio) në skenë, qoftë me defekte të dukshme. Natyrisht, korporatat tregtare janë gjithashtu të prira për të pasur sa më shumë të ardhura nga trashëgimitë e artistëve, ndërsa publikimet pas vdekjes mund të jenë biznes fitimprurës; Ikona e rokut alternativ, Kurt Cobain, ishte vetëm 27 vjeç e kur vrau veten më 1994, por vazhdon të gjenerojë miliona përmes publikimeve me cilësi të ndryshueshme.

Dilemë morale vazhdon me kthimin e këngëtarëve nga vdekja. Shumica e artistëve kanë ideale krijuese dhe mund të hamendësojmë se çfarë do të donin pasi kanë ikur; këngët “e rreme” sugjerojnë se këngëtarët janë të lakueshëm – duke u shërbyer tekave të industrisë dhe mashtrimeve virale, madje me rejv nga varri. Mania e krijuar nga AI-ja nuk ka qenë e kufizuar në yjet e vdekura perëndimore; shembujt ndërkombëtarë kanë përfshirë këngë “të reja” nga heroi popullor i Koresë së Jugut, Kim Kwang-seok, si dhe këngëtarja izraelite Ofra Haza – por, siç qëndron puna, shumica e muzikës “së rreme” tingëllon dëshpëruese, pa gjak, si një version roboti i shfaqjes televizive të viteve 1990, Stars in their Eyes.

Teksa nostalgjia është forcë e fuqishme, ekziston gjithashtu një “faktor i keq” në sentimentalitetin e shumë projekteve të pasvdekjes – që ndoshta më së shumti demonstrohet me albumin e Barry Manilowit të vitit 2014, My Dream Duets, që e shfaqi atë duke kënduar së bashku me zërat e ikonave të vdekura, duke përfshirë Judy Garlandin dhe Whitney Houstonin.

Pavarësisht kësaj, disa vokalistët/krijuesit bashkëkohorë i janë përgjigjur pozitivisht teknologjisë “deepfake” – veçanërisht artistët elektronikë si Grimes dhe Holly Herndon (instrumenti zanor i personalizuar i të cilëve, Holly+, në vitin 2021 i ftoi përdoruesit të ngarkonin këngët për riinterpretim). Por, edhe pionierët pranojnë se janë të kujdesshëm, megjithatë, edhe ligjet globale mbeten të paqarta rreth AI-së dhe pronës intelektuale.

“Si artist, mundësitë e inteligjencës artificiale për të bashkëpunuar me vokalistët që kanë vdekur, ngjallin një përzierje të eksitimit dhe shqetësimit”, pranon J Lloyd, bashkë-themelues i grupit Jungle, këngët origjinale të të cilit – duke përfshirë këngën e fundit Dominoes – gërmojnë thellë në shpirtin klasik dhe në stilin fank. “Kur kemi parasysh se si brezat e ardhshëm do të lidhen me muzikën tonë, AI-ja e shton një ndjenjë kurioziteti dhe habie – a do të përjetohen shprehjet tona në mënyra të reja apo prekja njerëzore dhe rezonanca emocionale që përcakton muzikën tonë do të errësohen nga përparimet teknologjike”?

Disa këngëtarë kanë reaguar më prerazi kundër projekteve të tilla; në vitin 2021, Anderson .Paak kishte një pjesë të testamentit, në tatuazhin e krahut (“Kur iki, të lutem mos e lësho asnjë album pas vdekjes apo këngë me emrin tim të bashkangjitur“). Megjithëse pasuria e Amy Winehouse miratoi koleksionin e pasvdekjes Lioness – Hidden Treasures (2011), CEO i grupit Universal, David Joseph, më vonë njoftoi se demot e saj vokale janë shkatërruar si “gjë e moralshme”, për të shmangur publikimet e ardhshme për të cilat ajo nuk do të pranonte.

Në fund të fundit, publikimet pas vdekjes po çmohen nga ata që i njihnin dhe i donin artistët. Albumi i grupit Sparklehorse do të dalë në shtator, me vëllain dhe kunatën më të vogël të Mark Linkousit duke e përfunduar punën që filluan para vdekjes së tij tragjike më 2010.

Lidhja emocionale dhe krijuese me një këngëtar të ndjerë shprehet gjithashtu në mënyra tjera; albumi që doli në korrik, The Endless Colored Ways, përqendrohet në këngët e këngëtarit Nick Drake (i cili ishte vetëm 26 vjeç kur vdiq në 1974), me riinterpretime nga artistët, përfshirë Emeli Sandé dhe John Grant. Projekti u mbikëqyr nga Cally Calomon (menaxher i pasurisë së Nick Drakeit, i cili ka punuar ngushtë me familjen e tij që nga vitet 1990) dhe Jeremy Lascelles, bashkëthemelues i Blue Raincoat Music dhe CEO i Chrysalis.

“I gjithë arti është artificial … Asnjë inteligjencë nuk është kurrë ‘artificiale’”, thotë Calomon për BBC. “Ta quash inteligjencën, sido të krijuar, si ‘artificiale’, është shembull tjetër i njerëzimit që përpiqet të shfajësojë veten nga faji dhe nga pasojat e shpikjes”.

Lascelles thekson: “AI-ja është gjëja e fundit në periudhën e gjatë të përparimeve teknologjike që përfshijnë ndryshime shkatërruese; ajo është edhe kërcënuese dhe sjell mundësi të mëdha. Artistët dhe kompozitorët i kanë shkruar këngët nga frymëzimi – ndonjëherë shkëlqyeshëm, ndonjëherë në mënyra servile dhe shumë të vrazhdë. E njëjta gjë vlen edhe për incizimet e pasvdekjes që ngjallen me anë të teknologjisë moderne. Në fund, gjyqtarët e vetëm do të jenë dëgjuesi. A tingëllon kjo emocionalisht tërheqëse dhe ‘autentike’, apo si false dhe e sajuar? Me The Endless Colored Ways u kërkuam një numri të artistëve që t’i rishpikin këto këngë në stilin e vet, duke kërkuar që të mos i kopjojnë incizimet origjinale të Nickut. Mendojmë se rezultatet janë spektakolare. Dhe, mund t’ju sigurojmë se pjesët e teknologjisë moderne nuk kanë bërë dëme gjatë procesit”. /Telegrafi/