LAJMI I FUNDIT:

Ahmeti: Serbia e ka humbur betejën në Këshillin e Evropës

Ahmeti: Serbia e ka humbur betejën në Këshillin e Evropës

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti deklaron se ka pasur një numër të ‘non paper’ të cilat Serbia i ka dërguar në Strasburg në kundërshtim të aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, por sipas tij, e njëjta e ka humbur këtë betejë.

Ahmeti thotë se Kosova ka siguruar mbështetjen në vota si dhe interpretimin ligjor që sqaron se nuk ka pengesa për shtetin në këtë drejtim.

Në një intervistë për KosovaPress, numri dy në Ministrinë e Jashtme ndër të tjera flet edhe për dialogun, çështjen e njohjeve si dhe pritjet për tu bërë pjesë e Partneritet për Paqe këtë vit.

Gjatë vitit të kaluar Republika e Kosovës dërgoi aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian si dhe në Këshillin e Evropës. Të dy këto procese, Ahmeti thotë se janë relativisht të gjata që kërkojnë durim, mirëpo konsideron se kanë qenë të veprime të domosdoshme.

“Serbia gjithmonë ka qenë aktive në kundërshtim të Republikës së Kosovës qoftë në kuptimin bilateral apo multilateral, tek rasti i Këshillit të Evropës ka kundërshtuar një ditë para se të aplikojmë. Më 11 maj të vitit të kaluar Vuçiq pati thirrur mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare se Kosova po aplikon në Këshillin e Evropës, pra një absurd i llojit të vet dhe ka pasur një numër ‘non paper’ të cilat janë dërguar nga Serbia në Strasburg por të cilat kanë qenë kundërpërgjigje ndaj asaj që kemi bërë ne, pra Serbia ka ndjekur hapat tonë jo anasjelltas.

Mund të them me bindje të plotë që Serbia e ka humbur betejën në Këshillin e Evropës dhe një fakt për këtë është fakti që opinioni ligjor tregon që ne mund të bëhemi anëtar i Këshillit të Evropës dhe mbështetja është aty.

Ne kemi lobuar në disa rrafshe, qoftë diplomatik, qoftë politik, që ta sigurojmë mbështetjen në vota dhe ajo është, pra e kemi siguruar këtë mbështetje, është siguruar interpretimi sqarimi ligjor që nuk ka asnjë pengesë dhe kjo është betejë e humbur për Serbinë”, thotë zëvendësministri i Jashtëm.

Ai shpreson për një qasje konstruktive të Serbisë edhe në dialogun e Brukselit, madje jo vetëm nga Serbia por edhe nga vet Bashkimi Evropian.

“Shpresojmë që do të kemi një qasje më konstruktive edhe nga Beogradi në dialog por gjithashtu edhe një qasje tjetër nga Bashkimi Evropian dhe vendet e tjera perëndimore ku nuk luhet me këtë kartën e neutralitetit në situata ku është e qartë se kush është fajtori siç e kishim situatën në fund të vitit të kaluar me barrikadat, me kidnapimin dhe rrahjen e serbëve nga strukturat ilegale të Beogradit, me sulmet ndaj gazetarëve, me sulmet me armë zjarri ndaj policëve të Kosovës, me sulmet ndaj patrullave të EULEX-it, sulme ndaj patrullave të KFOR-it pra kjo nuk ishte aspak paqësore dhe gjërat duhet të thuhen ashtu siç janë dhe të kenë pasojat siç parashihen”, thotë ai.

Ahmeti pohon se Serbia gjithashtu nuk e ka ndalur as të ashtuquajturën fushatë të ç’njohjeve për Kosovën por shton se nuk ka arritur ndonjë rezultat.

Janë 30 shtete të cilave Serbia u ka kërkuar çnjohjen për Kosovën, e të cilat i ka identifikuar Qeveria e Kosovës që prej fazës së nënshkrimit të moratoriumit në Uashington. Por Ahmeti beson që numri është edhe më i madh.

“Besoj që ky është minimumi i rasteve, sepse është ajo çka ne kemi arritur të identifikojmë, sigurisht ka edhe raste të tjera, por siç e dimë nuk ka asgjë, nuk kanë arritur asnjë rezultat, dhe në anën tjetër ne kemi vendosur kontakte edhe zyrtare edhe formale me vende të cilat më parë janë sulmuar raportet tona me ato, pra kemi kthyer marrëdhëniet diplomatike me një numër të vendeve, prandaj edhe në këtë rrafsh ajo ka dështuar.

Unë nuk them që një gjë e tillë është e pamundur të ndodh me ndonjë shtet, sepse duke shfrytëzuar armët ruse, duke shfrytëzuar korrupsionin e forma të tjera, edhe mund të bëhet kjo gjë, por ne nuk do t’i ndjekim hapat e Serbisë, ne kemi politikën tonë dhe do ta ndjekim atë, do të jemi praktik në strategjinë tonë por duke parëm e kujdes edhe çfarë bëjnë ata”, thotë Ahmeti.

Në një intervistë për KosovaPress, Ahmeti përgjigjet edhe rreth mungesës së njohjeve të reja ku Kosova nuk ka pranuar njohje të reja që prej shkurtit të vitit 2021 kur janë vendosur marrëdhëniet diplomatike me Izraelin.

“Shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte një akt i jashtëzakonshëm jo vetëm për ne si qytetarë të saj por edhe në arenën ndërkombëtare dhe për këtë arsye kishim një numër të madh të njohjeve të menjëhershme dhe një ndihmë të jashtëzakonshme nga partnerët tanë në mënyrë që të etabolohet Kosova si një realitet i pamohueshëm në arenën ndërkombëtare.

Por tashmë Kosova është një realitet normal në arenën ndërkombëtare dhe nuk mund të presim njohje si akte sikurse në fillim kur e shpallëm pavarësinë, tash procesi është inkremental pra kemi zhvillime në hapa më të vegjël me shtete të cilat ende nuk na njohin dhe këtu sigurisht që gjithë e dimë që Greqia është avangarda si të themi e pesë vendeve mosnjohëse me të cilën kemi thelluar dhe zgjeruar raportet jashtëzakonisht shumë”, thotë ai.

Megjithatë, Ahmeti konsideron se viti i kaluar ka qenë produktiv sa i përket marrëdhënieve të Kosovës në rrafshin bilateral duke theksuar se janë nënshkruar 111 marrëveshje.

“Në rrafshin bilateral kishim konsultime politike me rreth dhjetë vende të ndryshme në mes të Ministrive të Jashtme, ky është një mekanizëm shumë i dobishëm ku diskutohen çështje konkrete dhe praktike të marrëdhënieve bilaterale dhe bashkëpunimit, pastaj kishim 111 marrëveshje të nënshkruara vetëm gjatë viti të kaluar, të karaktereve të ndryshme që tregon një thellim dhe zgjerim të raporteve bilaterale të Republikës sonë me vende të tjera.

Ndërsa në rrafshin multilateral e thyem ‘staus quo’ e cila thënë të drejtën ishte jashtëzakonisht e dobishme për Serbinë, pra zotimet e mëhershme që Kosova të mos synojnë anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, ishte sukses i jashtëzakonshëm për Serbinë, e ne thyem këtë tashmë Kosova ka aplikuar në Këshillin e Evropës dhe në Bashkimin Evropian dhe siç ka deklaruar edhe kryeministri tashmë publikisht ne do të ndërmarrim hapa konkret dhe formal edhe për anëtarësim në programin për Partneritet për Paqe në kudër të NATO-s”, thotë Ahmeti.

Në lidhje me anëtarësimin në Partneritetin për Paqe, Ahmeti thotë se ka pasur lobim gjatë vitit të kaluar por shton se ai do të jetë më intensiv gjatë këtij viti.

“Nuk shoh arsye që Kosova të mos bëhet pjesë e Partneritetit për Paqe, sa i përket (vendeve) mosnjohësve çështja e multilaterales, pra organizatave ndërkombëtare nuk duhet të përzihet me atë bilaterale, nëse një vend që ende nuk e ka njohur Kosovën voton në favor apo pajtohet në një formë tjetër është kosntruktiv, nuk nënkupton njohje, kjo është treguar edhe nga Greqia qysh në vitin 2015 kur ka votuar në favor të Kosovës në disa raste, prandaj nuk shoh problem as në këtë rrafsh”, thotë Ahmeti.

Zëvendësministri i Jashtëm gjithashtu bën të ditur se janë të interesuar që gjatë këtij viti të dyfishojnë numrin e atasheve të mbrojtjes nga shtatë sa janë aktualisht.

“Është interesimi ynë që ta rrisim numrin e atasheve të mbrojtjes, aktualisht janë shtatë dhe me ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe kabinetin e tij, kemi punuar që këtë numër ta rrisim dhe besoj që përgjatë këtij viti do të jemi diku afër dyfishimit apo dyfishim të këtij numri”, thotë ai.

Në trend Lajme

Më shumë
Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Lajme
Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Lajme
Nënkryetarja e PE-së e thotë hapur se BE-ja gaboi me masat ndaj Kosovës, tregon pse po amnistohet Serbia

Nënkryetarja e PE-së e thotë hapur se BE-ja gaboi me masat ndaj Kosovës, tregon pse po amnistohet Serbia

Lajme
Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës,

Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës, "Octopus": Urgjentisht të koordinohen veprimet me ndërkombëtarët

Siguri
Tha se ditë të vështira e presin Serbinë, Vuçiq: Nesër ose pasnesër i merrni përgjigjet

Tha se ditë të vështira e presin Serbinë, Vuçiq: Nesër ose pasnesër i merrni përgjigjet

Lajme
Limaj: Nuk duhet të shkojmë në zgjedhje kur dëshiron Kurti

Limaj: Nuk duhet të shkojmë në zgjedhje kur dëshiron Kurti

Siguri
Kalo në kategori