LAJMI I FUNDIT:

Ahmeti: Në dy-tri ditët e fundit pothuajse të gjitha testimet për COVID-19 në Lipjan kanë dalë pozitive

Ahmeti: Në dy-tri ditët e fundit pothuajse të gjitha testimet për COVID-19 në Lipjan kanë dalë pozitive

Gjendja epidemike në Komunën e Lipjanit sa i përket coronavirusit nuk është e mirë.

Këtë e ka thënë kryetari i kësaj komune Imri Ahmeti i cili thotë se javët e fundit ka një rritje të madhe të numrit të të prekurve.

“Aktualisht kemi 118 persona aktiv me coronavirus ndërsa tre vetëm se kanë humbur jetën. Nuk e dimë numrin e saktë të shëruarve pasi kohët e fundit nuk ka pasur përditësim të të dhënave”, tha ai për RTV Dukagjinin, përcjell Telegrafi.

Ahmeti thotë se edhe në rezultatet e reja që do të vijnë nga IKSHP pritet të ketë të infektuar të ri edhe nga Komuna e Lipjanit.

“Është shqetësuese pasi në dy tri ditët e fundit pothuajse të gjithë ata që janë testuar kanë rezultuar pozitiv në COVID-19, pak prej mostrave të testuara kanë rezultuar negative. Kjo situatë e ka rritur shqetësimin”.

Kryetari i Lipjanit thotë se qytetarët duhet të respektojnë masat e vendosura nga qeveria në mënyrë që të ulet numri i infeksioneve të reja./Telegrafi/