LAJMI I FUNDIT:

Ahmeti – Lajçak: Ballkani meriton paqe dhe integrim

Ahmeti – Lajçak: Ballkani meriton paqe dhe integrim

Në margjinat e Forumit të Prespës për Dialog që po zhvillohet në Ohër, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ka zhvilluar takim me Miroslav Lajçak, përfaqësues special i Bashkimit Europian për bisedime mes Kosovës dhe Serbisë.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ishte pjesë e bisedës në takimin mes Ahmetit dhe Lajçak, ku dy bashkëbiseduesit vlerësuan se të dy vendet duhet të gjejnë zgjidhje që do të shërbente pozitivisht për gjithë rajonin dhe do t’u jepte fund raporteve të ftohta mes Prishtinës dhe Beogradit.


Një model si Marrëveshja e Ohrit dhe e Prespës gjithnjë mund të ishte frytdhënëse dhe palët e involvuara në këtë dialog duhet marrë shumë seriozisht këtë, me qëllim për t’i dhënë një epilog.

Ahmeti dhe Lajçak gjatë takimit kanë diskutuar edhe mbi kontestin me Bullgarinë, si pengesë për vendin në rrugë drejt Bashkimit Europian dhe sfidë e cila duhet kapërcyer që qytetarët mos mbesin peng i politikave nacionaliste që mund të hapen nga parti të caktuara në vendet fqinje.

Me këtë rast, Ahmeti kërkoi ndihmë edhe nga Bashkimi Europian dhe SHBA-ja si faktor të rëndësishëm dhe miq të vendit e rajonit për të ndikuar në vendimet për të mos bllokuar aspiratat e Republikës së Maqedonisë së Veriut drejtë rrugës së integrimit.

Reformat të cilat janë kusht për të hapur negociatat me Bashkimin Evropian si dhe çështje tjera të rëndësishme në vend ishin po ashtu temë e bisedës mes Ahmetit dhe Lajçak.