LAJMI I FUNDIT:

Ahmeti: Kuvendi i Kosovës ta udhëheqë dialogun me Serbinë

Ahmeti: Kuvendi i Kosovës ta udhëheqë dialogun me Serbinë

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti, tha se partia që ai drejton propozon që dialogu me Serbinë në Bruksel të udhëhiqet nga Kuvendi i Kosovës, ndërsa tha se kanë propozuar edhe formimin e një Komision ad hoc parlamentar për mbikëqyrjen e këtij procesi.

Ahmeti po ashtu bëri të ditur se kanë propozuar një deklaratë në mënyrë që përafrohen disa qëndrime sa i përket procesit të dialogut me Serbinë.


Ai tha se procesi i dialogut duhet të udhëhiqet nga Kuvendi meqenëse Kosova është Republikë parlamentare.

“Kemi diskutuar se si mund të darkordohemi për procesin e dialogut. Propozimi jonë është që ta themelojnë një komision ad hoc për mbikëqyrjen e  procesit të dialogut, të cilit ekipi negociator apo kushdo që e udhëheq procesin t’i raportojë”, tha Ahmeti.

Ai tha se ditëve në vijim do të tentojnë që të kenë takime bilaterale me partitë politike, në mënyrë që të kenë një tekst, të dakordohen për procesin dhe të prezantohet një platformë shtetërore për dialogun me Serbinë.

“Ne mendojmë se mund të kemi një qëndrim të dakorduar pasi dialogu është aq proces i rëndësishëm dhe tejkalon subjektet politike dhe mandatet politike sepse po flasim për një proces të rëndësishëm për Republikën e Kosovës”, tha Ahmeti.

Ai tha se po kërkojnë një proces transparent dhe po ashtu sipas tij një konsensus për procesin është i domosdoshëm pasi nëse arrihet një marrëveshje me Serbinë ajo do të duhet të ratifikohet në Kuvend.

Ndryshe, takimi i sotëm i partive politike është organizuar nga Partia Socialdemokrate dhe temë e diskutimit ishte dialogu me Serbinë.

Për dialogun me Serbinë një konferencë për media e ka mbajtur sot edhe presidenti Hashim Thaçi, i cili konfirmoi se të dielën, më 24 qershor do të mbahet takimi i parë i fazës finale në dialogun me Serbinë.

Ai tha se Kosova nuk ka për çka t’i frikësohet dialogut me Serbinë, e as epilogut të këtij dialogu. /Telegrafi/