LAJMI I FUNDIT:

Agroturizmi dhe zejtaria në Shqipëri, Banka Botërore mbështet bashkitë për planet e zhvillimit

Agroturizmi dhe zejtaria në Shqipëri, Banka Botërore mbështet bashkitë për planet e zhvillimit

Bashkitë e Shqipërisë po mbështeten nga një projekt i Bankës Botërore për zhvillimin e planeve të tyre mbi fusha potenciale që japin ndikim pozitiv në ekonominë lokale dhe agroturizmi e zejtaria janë dy prej tyre.

Në një rishikim të projektit “Lidhja e rrugëve rajonale dhe lokale” që ka nisur në vitin 2018 dhe po mbështetet me kredi 50 milionë dollarë nga Banka, ekipi monitorues ka nënvizuar se janë hedhur hapa konkretë për mbështetjen e bashkive në disa aspekte.


Së pari, ekipi i BB ka theksuar se cilat janë investimet konkrete në infrastrukturë që janë kryer nga fillimi i projektit e deri më tani.

“Rehabilitimi i rreth 60 km rrugë rajonale dhe lokale (objektivi fillestar ishte 55 km) ka përmirësuar aksesin dhe lidhjen në 28 qendra bujqësore dhe turistike (objektivi fillestar ishte 9). Pas përfundimit të rehabilitimit të seksioneve rrugore në Shkodër, Pogradec, Tepelenë, Vlorë Durrës dhe Bashki Fier, tre rrugë shtesë dhe masa të sigurisë rrugore janë planifikuar për financimin e projektit:

(i) Rruga Vath Koreshi në Lushnje,

(ii) Spille-Vile Bashtove në Rrogozhine

(iii) Loti 2 Pogradec-Tueshemisht-Dogane në Pogradec,

(iv) masat e sigurisë rrugore. (në Tepelenë dhe Vlorë) në zonat e identifikuara nga Konsulenti i Sigurisë Rrugore.

Përzgjedhja e segmenteve të reja rrugore u bazua në metoda të kontrollit dhe kriteret e prioritarizimit të miratuara në vlerësimin e projektit” thuhet në dokument.

I planifikuar për t’u mbyllur në fund të 2022, projekti u zgjat në afat deri në qershor 2024 nga ana e Bankës. Sipas të dhënave, deri më tani janë disbursuar 44.45 milionë dollarë dhe mbeten ende edhe 5.55 milionë dollarë deri në fund të 6 mujorit të parë për të arritur objektivat e vendosura në planin e rishikuar ku fokusi kryesor duket se është asistenca teknike për Bashkitë.

“Kontrata e Asistencës Teknike (AT) për krijimin e Menaxhimit të Aseteve Rrugore Rajonale dhe Lokale dhe mbështetjes së bashkive për të miratuar kontratat e mirëmbajtjes së rrugëve po përparojnë mirë.

Konsulenti ka plotësuar të dhënat e gjendjes së rrjetit, informacionet sociale dhe mjedisore, si dhe informacione për bujqësinë dhe turizmin për rreth 10,000 km rrugë lokale, që po transferohen në platformën e menaxhimit të aseteve

Kontrata tjetër e asistencës teknike – mbështetja e bashkive për të përgatitur plane dhe studime mbi mbështetjen financiare përmes bankave për zhvillimin e ardhshëm të ekonomisë lokale po përparon gjithashtu mirë. Në të ardhmen këto studime dhe plane dhe mund të jenë baza e aplikimit për financim në qeverinë qendrore apo grante të disponueshme nga donatorët.

Këto plane po përgatiten me pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të menaxhimit të Bashkisë dhe po eksplorojnë fusha potenciale zhvillimi në agroturizëm dhe zeje tradicionale” thuhet në dokument, raporton Monitor. /Telegrafi/